Carney flet për sektorin financiar – Kërkon fleksibilitet pas largimit nga rregullat e tregtimit të BE
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se Britania duhet të ruaje fleksibilitetin për krijimin e rregulloreve në sektorin financiar, ndërkohë që i largohet rregullave të tregtimit të Bashkimit Europian. Britania doli nga Europa muajin e kaluar, por do të aplikojë rregullat e bllokut deri në Dhjetor dhe të krijojë të reja pas periudhës së tranzicionit. Carney tha se do të ishte e rrezikshme nëse Britania transferon krijimin e rregullave dhe mbikëqyrjen e qendrës kryesore financiare në botë, në një tjetër juridiksion. Ai tha se Banka e Anglisë është angazhuar të mbajë standardet aktuale.
“Është qendra kryesore financiare në botë dhe më kompleksja. Do të ishte e çuditshme nëse ne do të transferonim krijimin e rregullave dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar tek një juridiksion tjetër. Për rrjedhojë duhet të ruajmë një shkallë të fleksibilitetit. Ne jemi të angazhuar në ruajtjen e standardeve aktuale”, është shprehur Mark Carney, Guvernatori i Bankës së Anglisë.
Guvernatori i Bankës së Anglisë dhe bankierë të tjerë qendror po monitorojnë edhe ndikimin e koronavirusit të ri që ka mbyllur kompanitë dhe qytete të tëra në Kinë. Përhapje të mëparshme të infeksionit kanë shkaktuar humbje të përkohshme ekonomike, që janë pasuar nga rimëkëmbje të shpejta. Carney do të largohet nga posti në muajin Mars dhe ka pranuar rolin si përfaqësuesi i financave dhe ndryshimit klimatik tek Organizata e Kombeve të Bashkuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.