Carney hedh poshtë kërkesën tregtare të Johnson për një Brexit pa marrëveshje

Guvernatori i Bankës së Anglisë Mark Carney ka hedhur poshtë një kërkesë nga Boris Johnson, kryesuesi në garë për t’u bërë kryeministër, që Britania mund të shmangë goditjen e tarifave tregtare të Bashkimit Europian në rast të një Brexit pa marrëveshje. Carney i tha BBC se largimi nga BE pa një marrëveshje tranzicioni duhet të jetë një zgjedhje e marrë me “qartësi absolute” për çka ajo do të thotë për ekonominë e Britanisë, e cila do të nënkuptonte dëmtime afatshkurtra dhe afatgjata. “Shumë kompani nuk ishin plotësisht të gatshme për një ndryshim të tillë të menjëhershëm,” tha ai.
Johnson ka thënë se rregullat e tregtisë botërore përfshijnë një dispozitë, të njohur si Neni 24 i GATT, që lejon tregtinë të vazhdojë e pandryshuar midis dy palëve nëse ata vendosin. Por Carney tha se një marrëveshje e tillë aplikohej vetëm kur një marrëveshje tregtare ekzistonte ose është në proces realizimi. “Pra duhet të jemi të qartë se mungesa e një marrëveshjeje me Bashkimin Europian do të thotë se do të ketë tarifa automatikisht, sepse europianët duhet të zbatojnë të njëjtat rregulla për ne ashtu si ato zbatohen për të gjithë të tjerët”, tha ai.
Carney ka paralajmëruar më parë për ndikimin ekonomik të një Brexit pa marrëveshje, duke nxitur zemërimin midis mbështetësve të Brexit. Johnson dhe ministri i jashtëm Jeremy Hunt, konkurrenti tjetër për të zëvendësuar Theresa May si kryeministër, kanë thënë se janë të përgatitur të nxjerrin vendin nga BE pa një marrëveshje tranzicioni nëse kjo është e nevojshme.
Rreth 150,000 biznese eksporti kanë dështuar deri tani për të përfunduar dokumentet e nevojshme për të vazhduar shitjen në BE pas një Brexit pa marrëveshje dhe madje ato biznese që ishin përgatitur nuk ishin plotësisht të gatshme, tha Carney për BBC. Madje edhe firmat që kishin ndërtuar stoqe të furnizimeve të importuara do të mbaronin brenda disa javësh në rast të përçarjeve të mëdha, me sfida të veçanta në sektorë të tillë si industria e makinave. “Biznesi do të mbështetet në atë që qeveritë janë në gjendje të bëjnë për të mbajtur portet e hapura dhe tregtinë fluide,” tha Carney.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.