Carney për Brexit – Pret ngadalësim të ekonomisë pa një marrëveshje tregtare me BE

Guvernatori i Bankës së Anglisë Mark Carney, tha se ekonomia e Britanisë pritet të ngadalësohet në terma afatshkurtër nëse vendi dështon të arrijë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian pas Brexit.
“Në terma afat-shkurtër, nëse do të kemi më pak akses ndaj tregut të Bashkimit Europian se sa tani, ekonomia do të ketë një rritje më të ngadaltë dhe do të duhet të riorientohet”, tha Carney.
Guvernatori shtoi se investimet e bizneseve duhet të ishin në nivele të kënaqshme, për shkak të fuqizimit të ekonomisë botërore dhe faktorëve të tjerë, por pasiguria në lidhje me negociatat e Brexit i ka dhënë një frenim.
Banka e Anglisë rritin normën bazë të interesit për të parën herë në 1 dekadë gjatë javës së kaluar, por lajmëroi një vazhdim tepër të ngadaltë të ciklit tkurrës monetar në të ardhmen, gjë që solli edhe rënien e paundit. Ekonomia e Britanisë është ngadalësuar këtë vit, pas rritjes surprizuese në 2016-ën, por Banka e Anglisë vendosi të rrisë normën bazë pasi argumenton se Brexit do të shtojë presionet ndaj inflacionit.
Carney është vënë nën kritikat e mbështetësve të daljes nga Bashkimi Europian, të cilët janë irrituar nga komentet e tij se Brexit do të ketë ndikim negativ te ekonomia.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.