Carney përgatit bankat – Bën thirrje për një pakt me kontinentin mbi rregullat bankare

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, bëri thirrje për Bashkimin Europian dhe Britaninë që të njohin dhe pranojnë rregullat bankare të tyre pas Brexit, përndryshe rrezikohet një goditje në sektorin e shërbimeve financiare në të gjithë Europën.
Carney tha gjithashtu se Banka e Anglisë dhe institucionet financiare atje, duhet të jenë të gatshme për masa emergjente. Ai i la një afat deri më datë 14 Korrik të gjithë firmave financiare që operojnë në Britani, që të informojnë Bankën e Anglisë mbi mënyrat se si do të përballen me ndarjen nga BE.
Bankat nga Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm, të vendosura në qendrën financiare të Londrës, përdorin të drejtat e ofrimit të shërbimeve drejt Bashkimit Europian (Passaporting rights).
Ky organizim pritet të përfundojë pas daljes nga tregu i përbashkët në një periudhë 2-vjeçare.
Shumë bankierë thonë se nuk janë të bindur që qeveria do t’i japë prioritet industrisë së tyre, ndërkohë që Theresa May i jep më shumë rëndësi kontrollit të emigrantëve.
Duke iu referuar komenteve të Donald Trump për të zhbërë reformat e vendosura gjatë krizës financiare (dodd-frank), Carney tha se sistemi financiar global gjendet në një moment vendimtar.
“Mënyra se si do të zhvillohen negociatat e Brexit do të përbëjë një test për globalizimin financiar”, tha Carney.
Ai shtoi se duhet të krijohet një sistem efektiv i mbrojtjes së qasjeve rregullatore mes BE dhe Britanisë, i nxitur nga standarde minimale të përbashkëta dhe bashkëpunim të hapur në mbikëqyrje.
Ky sistem mund të nxitet nga një mekanizëm i ri dhe i pavarur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që mund të jetë një model për të gjithë botën, shtoi Guvernatori. Shërbimet financiare përbëjnë 6% të Produktit të Brendshëm Bruto të Britanisë, sipas Bankës së Anglisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.