CDC: 5 destinacione europiane i shtohen listës me rrezik ‘shumë të lartë’ për Covid!
Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë vendosur pesë vende në Europë, duke përfshirë një nga fuqitë më të mëdha të turizmit në botë, në listën e destinacioneve me rrezikun “shumë të lartë” të udhëtimit Covid-19.
Franca dhe katër nga fqinjët e saj europianë kaluan në Nivelin 4, kategoria me rrezikun më të lartë të CDC, të hënën. Franca ishte destinacioni kryesor në botë për ardhjet ndërkombëtare të turistëve para pandemisë, sipas shifrave të vitit 2019 nga Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara.
Dy vende të tjera — njëri në Lindjen e Mesme, tjetri në Afrikën Lindore — u zhvendosën gjithashtu në Nivelin 4. Këto shtatë kombe janë:
- Andorra
- Qipro
- Franca
- Jordania
- Lihtenshtejni
- Portugalia
- Tanzania
Destinacionet që bëjnë pjesë në kategorinë “Covid-19 Shumë të Lartë” të Nivelit 4 të CDC-së kanë pasur më shumë se 500 raste për 100,000 banorë në 28 ditët e fundit.
Njerëzit duhet të shmangin udhëtimet në vendet e përcaktuara me një njoftim “Niveli 4”, rekomandon CDC. Kushdo që duhet të udhëtojë duhet së pari të vaksinohet plotësisht, këshillon agjencia.
Në udhëzimin e saj më të gjerë të udhëtimit, CDC ka rekomanduar shmangien e të gjitha udhëtimeve ndërkombëtare derisa të vaksinoheni plotësisht.
“Udhëtarët e vaksinuar plotësisht kanë më pak gjasa të marrin dhe përhapin Covid-19. Megjithatë, udhëtimet ndërkombëtare paraqesin rreziqe shtesë, madje edhe udhëtarët e vaksinuar plotësisht mund të jenë në rrezik të shtuar për marrjen dhe ndoshta përhapjen e disa varianteve të Covid-19”, bëri me dije agjencia.
Të gjitha këto destinacione europiane, plus Jordania në Lindjen e Mesme, ishin konsideruar më parë me rrezik “të lartë” në Nivelin 3 ndërsa më parë, Tanzania e preferuara e safareve ishte vlerësuar si “e panjohur” për mungesë informacioni të besueshëm. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.