Çekia, në gjendje të emergjencës – Njofton mbyllje të aktiviteteve. Ka normën e 3-të më të lartë të incidencës

Qeveria Çeke urdhëroi mbylljen e bareve dhe klubeve në orën 22:00 dhe ndaloi tregjet e krishtlindjeve për 30 ditë, në përpjekje për të frenuar një nga normat më të larta në botë të infeksionit. Çekia ka regjistruar mbi 25,000 raste të reja ditën e Martë më 23 Nëntor dhe një mesatare prej 1,516 raste ditore me Covid për 1 milionë banorë në javën e fundit. Kjo është norma më e lartë në botë pas Sllovakisë dhe Austrisë.
Ministri i Shëndetësisë Adam Vojtech, tha se masat e kufizimeve kanë shënjestruar vende ku ka përqëndrime të mëdha të njerëzve. Limitet në pabe dhe evente publike vijnë sipër kufizimeve të tjera që ndalonin njerëzit e pavaksinuar nga baret,restorantet, kinematë, palestrat dhe parukeritë. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, mbi 6,000 persona ndodhen në spitale dhe 850 në njësi intensive, ku 70% janë të pavaksinuar.
Republika çeke ka vaksinuar 58.5% të popullsisë totale, poshtë mesatares prej 65.8% të BE, sipas Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ndërkohë, Sllovakia, një shtet me 5.5 milionë banorë, urdhëroi mbylljen e të gjithë shërbimeve dhe dyqaneve, përveç atyre të nevojshëm, si dhe ndaloi njerëzit që të dalin nga zonat ku banojnë, përveç se për të shkuar në punë, shkollë apo tek doktori.
Sllovakia raportoi mbi 10,000 raste të reja në 2 ditët e fundit, që është shifra më e lartë që kur nisi pandemia. Me një mesatare ditore prej 1,930 për 1 milionë banorë në javën e kaluar, Sllovakia ka normën më të lartë në botë të incidencës. Vendi ka gjithashtu normën e tretë më të ulët të vaksinimit në BE, në vetëm 45.7% të popullsisë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.