Çelen fondet e IPARD II – Procedurat për aplikim, financim deri në 70 për qind të investimit
Më 30 Nëntor hapen aplikimet për fermerët dhe agrobizneset që duan të përfitojnë grante nga fondet e IPARD II . Thirrja e parë të do të përqendrohet në tre masa mbështetëse, në bujqësi, financim deri në 70 për qind të vlerës, agropërpunim deri në 50 për qind dhe zhvillim rural, mbështetje deri në 65 për qind të vlerës së financimit.
Urdhri që mban firmën e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për shpalljen e thirrjes së parë është botuar në Fletoren Zyrtare dhe bën me dije se formularët e aplikimit dhe plani i biznesit model që janë kriter për përfitim, mund të shkarkohen në faqen zyrtare të AZHBR dhe të Ministrisë së Bujqësisë.
Bëhet fjalë për shpërndarjen e një fondit total prej 94 milion euro dhe subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë aplikimet nga data 30 nëntor 2018 deri në datën 30 janar 2019 sipas orarit zyrtar 08:00 -16:30.
Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”.Aplikimet duhet të dorëzohen – nëpërmjet dërgesës postare rekomande; ose dorazi. Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër do të refuzohen.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.