Çelen kreditë e buta – Veliaj: Qytetarët të aplikojnë, prioritet familjet e reja

Nga sot qytetarët e Tiranës që nuk disponojnë një pronë dhe që kanë një nivel normal të ardhurash mujore, mund të drejtohen pranë zyrave të urbanistikës në njësitë administrative ku banojnë, për të marrë informacion dhe për të aplikuar për programit e kredive të buta.
Ata që kanë aplikuar përpara tre muajsh, duhet të bëjnë rifreskim dokumentacioni. Fondi i vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës është 1 milion dollarë dhe do të mbulojë subvencionimin e normave të interesit.
“Nga sot, çdo qytetar i Tiranës që plotëson këto kritere, ku ne targetojmë kryesisht familjet e reja, mund të shkojë pranë njësive administrative dhe të bëjë aplikimin për të marrë një kredi të butë, të subvencionuar nga Bashkia Tiranë dhe pastaj kredinë e merr nga bankat e nivelit të dytë”, tha Veliaj.
Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, ky projekt pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi.
“Në kontratën që ne kemi me bankat e nivelit të dytë, për 1 milion dollarë që vendos Bashkia, bankat do të japin gati 50-60 milionë dollarë në total për blerjen e gjithë këtyre apartamenteve. Për qytetin e Tiranës, për ekonominë tonë, injektimi i 50-60 milionë dollarëve në ekonomi, në tregun e shitblerjeve, nga taksat që paguhen prej kësaj, në rritjen e vlerës së pronës, është i jashtëzakonshëm. Janë vende pune që hapen, është një industri e cila vazhdon e punon”, tha kryebashkiaku.
Qytetarët do të mund të përfitojnë kredi me normë fikse interesi prej 3 për qind, me afat 20 vjeçar.
“Kredia është në njëfarë mënyre e garantuar ndaj të gjitha luhatjeve të tregut. Do të thotë, kredia është për 20 vjet 3%, çdo gjë mbi 3% është ajo që amortizon Bashkia Tiranë, që sot mund të jetë 2 ose 3 pikë përqindje. Çdo gjë dhe çdo luhatje e Euriborit ose Liborit, do të përballohen nga Bashkia e Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Ky është viti i parë që ky projekt implementohet me buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe është parashikuar të vijojë edhe në vitet e ardhshme, ku çdo vit përfitues do të jenë rreth 1 mijë familje që banojnë në kryeqytet.
Elisabeta Dosku/SCAN
Kriteret e përfitimit të kredive të buta – Paga minimale dhe maksimale për anëtarë në familje
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.