Çelet panairi për fëmijët – Gjoka: 40 kompani ofrojnë produkte të ndryshme për vogëlushët
Me rastin e festës së 1 Qershorit, Dhoma e Tregtisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës kanë çelur Panairin e 8-të për Fëmijët. Rreth 40 kompani të ndryshme ofruan produktet e tyre për vogëlushët. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku u shpreh për TV SCAN se fëmijët janë prioriteti i Bashkisë dhe këtë gjë e tregon puna e këtij institucioni me investime të vazhdueshme në kopshte dhe shkolla.
“Si pjesë e një parimi të përgjithshëm që Bashkia gjatë gjithë këtyre dy vjetëve që kemi qenë në detyrë, ka pasur fëmijët prioritet, edhe në investime në çerdhe, në kopshte, por edhe në të gjitha këndet sportive dhe këndet e lojërave nëpër lagje, sepse besojmë se duke bërë fëmijët prioritet, më pas qyteti bëhet më i mirë për të gjithë”, u shpreh Mazniku.
Nënkryetarja e Dhomës së Tregtisë Valentina Gjoka nënvizoi rëndësinë e të pasurit në vëmendje fëmijët. Gjoka theksoi se panairi i organizuar ka si qëllim dimensionin social dhe argëtim në këtë ditë të veçantë për fëmijët.
“Është një aktiviteti i cili është për fëmijët. Fëmijët kanë mundësi në këtë pedonale të luajnë, të aktrojnë, të jetë pjesa e tyre kjo hapësirë. Është një aktivitet i cili është kthyer tashmë në një markë. Në Bashkëpunim gjithmonë me Bashkinë e Tiranës është bërë një aktivitet shumë i rëndësishëm për fëmijët. Është një ditë kur fëmijët duan të gëzojnë, të luajnë, të qeshin, të pikturojnë. Këtu i gjejnë të gjitha hapësirat dhe të gjitha mundësitë”, tha Gjoka.
Në panair me dhjetëra fëmijë u bënë pjesë e festimeve, si edhe vizituan stendat me produkte të ndryshme ushqimore, libra, lodra etj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.