Çelet sezoni turistik në Krujë, Gjermeni: 6 mld lekë investime për historinë e turizmin
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ishte në Krujë ku u hap sezoni turistik për vitin 2017. Aktiviteti i organizuar nga Bashkia e qytetit dhe Fondi Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim, u zhvillua në Pazarin e Vjetër të Krujës, i cili dy vjet më parë u rikonstruktua nga AADFn në bashkëpunim me MZHU. Me numrin më të madh të vizitorëve për vitin 2016 në plot 300 mijë, Kruja mbetet një nga qytetet më të vizitueshme të Shqipërisë në çdo stinë të vitit.
“6 miliardë lekë janë investuar gjatë këtij mandati në Krujë, në infrastrukturë rrugore si: Rruga e Malit apo rruga e Kalasë, ndërhyrje të kujdesshme në zonën e pazarit pa cenuar origjinalitetin, apo edhe grantet e dhëna për fuqizimin e artizanatit në mënyrë që tradita e prodhimeve artizanale dhe mbi të gjitha autoktone të Krujës të marrë vlerën e duhur. Dy projektet e tjera që po zbatohen janë rikualifikimi i qendrës së Krujës dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor si dhe rikualifikimi i sheshit Mustafa Mërlika. Ka edhe më shumë për të bërë. Ashtu siç ulëm TVSH në sektorin e turizmit nga 20% në masën 6%, po ashtu do të vijojmë të punojnë më shumë për Krujën që duam”, tha Ministrja Gjermeni në fjalën e saj.
Turizmi mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për vendin dhe sigurisht për qytetin e Krujës mbetet një sektor prioritar për zhvillimin e qytetit dhe të gjithë bashkisë Krujë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.