Celularët nxjerrin jashtë mode telefonat fikse – 211 mijë abonentë në total, 10% më pak përdorues krahasuar me 2020
Tendenca drejt përdorimit të celularëve e veçanërisht të internetit por nxjerr gjithnjë e më shumë nga tregu telefonat fikse. Në raportin më të fundit, AKEP bën me dije se numri i pajtimtarëve të linjave të telefonisë fikse në fund të tremujorit të dytë 2021 është raportuar rreth 211 mijë, që përbën një rënie me 3.5% në krahasim me T1 2021 dhe një rënie me 10.7% në krahasim me T2 2020.
Numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara (Telefoni/Internet/TV) në fund të 3 mujorit të dytë 2021 arriti në rreth 301 mijë, një rritje kjo me 0.9% në krahasim me T1 2021 dhe rritje me 7.1% krahasuar me T2 2020.
Në raportin e sapopublikuar, AKEP njofton se Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T2 2021 arriti në rreth 2.46 milionë në rritje me rreth 8.6% me T2 2020. Ndërkaq, numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T2 2021 ishte rreth 2 milionë që përbën një rritje me 1.5% me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 31.7% në krahasim me Tremujorin e dytë 2020.
Në total, Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T2 2021 ishte rreth 3,190,860 që përbën një rritje me 0.7% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 0.9% në krahasim me T2 2020.
Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T2 2021 ishte rreth 1.42 miliardë minuta, me një rritje prej 3% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rritje prej 12.1% me T2 2020.
Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T2 2021 ishte rreth 138 milion që përbën një rritje me 2.1% krahasuar me T1 2021 dhe një rritje me 0.2% me T2 2020.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.