Celularët “smart” dhe revolucioni mjekësor! Ndryshimi thelbësor i trajtimit të sëmundjeve

Pajisja e përditshme e jona, celulari “smart”, po bëhet gjithnjë e më i pazëvendësueshëm. Kompanitë e mëdha nëpër botë, po mendojnë gjithnjë e më shumë, se si ta zgjerojnë edhe më tej fushën e përdorimit të tij, duke e vënë në funksion edhe të shëndetit personal.
Firmat e ndryshme të zhvillimit të aplikacioneve po përpiqen për të krijuar programe të posaçme, për t’i kthyer ekranët e vegjël të celularëve, në pajisje mjekësore. Kamerat, mikrofonët dhe blicet e celularëve po përmirësohen gjithnjë e më shumë dhe kjo është një gjë shumë e mirë për të shfrytëzuar në maksimum cilësitë e tyre, jo vetëm për qëllimin parësor, pra, të të fotografuarit, regjistrimit të zërit, apo edhe ndriçimit, por edhe për t’i kthyer në aparatë shumë-funksionalë.
Kërkuesit në Universitetin e Uashingtonit, në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Shkencën e Përparuar, ishin të mendimit se funksionet dhe aftësitë që kanë aparatët celularë në ditët e sotme janë pothuaj të njëjta me pajisjet e specializuara, që përdoren për qëllime të caktuara. Celularët, tashmë, mund të veprojnë si matës hapash, si përllogaritës të kalorive, apo për të matur rrahjet e zemrës. Nga ana tjetër, këto pajisje celulare, apo kompjutera “tablet” mund të funksionojnë edhe si aparatë për të diagnostikuar sëmundje të ndryshme.
Diagnozë për astmën
Sipas shkencëtarëve të Shoqatës Amerikane për Shkencën e Përparuar, mikrofonët e celularëve mund të përdoren për të diagnostikuar astmën, apo çrregullimin kronik të mushkërive. Nëpërmjet këtyre teknologjive, një njeri mund të kontrollojë sëmundjet kronike, duke qenë jo domosdoshmërisht në spital, apo edhe duke mos përdorur mjete ndërhyrëse fizike, siç janë pajisjet e spitalit, por vetëm nëpërmjet aplikacioneve.
Për më tepër, është e mundur që të përdoret kamera e celularit për të diagnostikuar çrregullimet e qarkullimit të gjakut, duke përfshirë këtu edhe nivelin e hekurit, apo mungesën e hemoglobinës. Një prej ideve që është hedhur në diskutim nga ekspertët dhe shkencëtarët e Shoqatës Amerikane për Shkencën e Përparuar, si dhe profesorët e Universitetit të Uashingtonit, është vendosja e gishtit te kamera e aparatit celular, e cila do të bëjë të mundur për të përllogaritur rezultatet e nivelit të hemoglobinës në gjakun e njeriut. Këtë gjë e ka bërë të mundur zhvillimi i një aplikacioni, i quajtur “HemaApp”.
Ky i fundit ka shërbyer njëlloj si pajisjet e tjera që përdoren për të matur sasinë e hemogloblinës në gjak, nëpërmjet kameras së celularit, por pa përdorur gjilpëra për të nxjerrë gjakun, siç veprohet zakonisht. Në këtë drejtim janë bërë eksperimente të shumta, të cilët kanë rezultuar me sukses dhe tashmë, shkencëtarët janë duke pritur miratimin e Administratës Amerikanë për Ushqime dhe Mjekime, për ta “përligjur” nxjerrjen në treg dhe për të zgjeruar përdorimin e tij.
Sensor për osteoporozën
Një fushë tjetër për përdorimin e celularëve “smart” në fushën e mjekësisë është edhe diagnostikimi i osteoporozës; një çrregullimi kockor që prek moshat e mëdha. Zhvilluesit e programeve kanë bërë të mundur një gjë të tillë, duke përdorur sensorët e lëvizjes në celular. Diagnostikimi është shumë i thjeshtë dhe kryhet vetëm duke mbajtur celularin; duke hapur aplikacionin dhe duke e trokitur lehtë në bërrylin tuaj. Sensori i lëvizjes do të mbledhë informacion nga rezonanca që krijohet në këtë moment dhe do të bëjë përllogaritjet.
Nëse në kockë do të ketë një reduktim të dendësisë, frekuenca ndryshon, gjë që është e njëjtë, në rastin e një kocke osteoporoze. Ky hap është mjaft i rëndësishëm dhe u vjen në ndihmë njerëzve në mbarë botën, sidomos në vendet e varfëra, apo në zhvillim, ku pajisjet për diagnostikimin e rasteve të tilla nuk janë të shumta, e në vendet e varfra, mungojnë. Studiuesit e “Georgia Institute of Technology“ kanë qenë të mendimit se ky përparim ndryshon në të vërtetë mënyrën e diagnostikimit, të trajtimit dhe kontrollit të sëmundjeve kronike te njerëzit. Ata kanë sjellë si shembull edhe personat e diagnostikuar me sëmundjen e diabetit, pasi sipas tyre njerëzit që janë të sëmurë me diabet, tashmë duhet të jenë edhe monitoruesit e parë të sëmundjes së tyre, nëpërmjet aplikacioneve që tregojnë vlerat brenda tolerancës, të ushqimeve që konsumojnë. Njerëzit duhet të mësohen me ndryshimet që duhet të bëjnë në mënyrën e përditshme të jetesës.
Për shembull: për femrat, rishtazi të diagnostikuara me kancerin e gjirit, shkencëtarët kanë krijuar një kompjuter “tablet”, që u mundëson atyre një qasje te informacioni, në kohë reale, për diagnozën, kurimin dhe efektet anësore. Kjo teknikë, nga ana tjetër, i ndihmon pacientët, të cilët mund të mos jenë në gjendje për të udhëtuar në klinika të shtrenjta, jashtë qytetit, apo shtetit ku jetojnë, për një kurim e kontroll të vazhdueshëm, duke ulur në maksimum kostot e tyre. Këto pajisje mund të bëhen sisteme të një mbështetjeje personale të vazhdueshme. Profesorët e “Georgia Institute of Technology“ janë shprehur se aplikacionet e zhvilluara mund të mbledhin informacione, dita-ditës dhe mund t’i përdorin në të mirë të trajtimit të sëmundjeve. Nga ana tjetër, ato mund të bëhen edhe këshillues interaktivë të përditshëm, duke ndryshuar tërësisht qasjen ndaj trajtimit të sëmundjeve në ditët e sotme.
Studiuesit e shkencave kompjuterike në “Johns Hopkins University“, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se përhapja në masë e përdorimit të platformave celulare është mjaft nxitëse, për t’u përballur me përcaktuesit socio-ekonomikë, në terma të kujdesit shëndetësor dhe pabarazisë. Një numër gjithnjë në rritje i shkencëtarëve dhe mjekëve janë duke hedhur vështrimin nga celularët “smart”, për përdorimin e tyre në punën e përditshme, duke i parë këta të fundit, si pajisje shumë të domosdoshme për të mirëdrejtuar elektronikisht shëndetin e njerëzve, për të mbledhur të dhëna shumë të vlefshme, si dhe për të nxjerrë në pah eksperimente të rëndësishme mjekësore, të cilat janë shumë të kushtueshme.
Sipas tyre, këto shpenzime mund të shkojnë në rreth 12 miliardë dollarë, duke nisur që nga fillimi i tyre, e deri në përfundimin e plotë të idesë shkencore. Celulari po shihet, gjithnjë e më shumë, si një prej pajisjeve, në të cilat po vijon të investohet, ku përpos përsosjes së aftësive parësore që ka një aparat i tillë, t’i shtohen edhe aftësi të tjera, të cilat do të jenë në shërbim të shëndetit personal, të të gjithë atyre që zotërojnë një të tillë, duke kursyer kohë për të shkuar deri te mjeku për kontrolle të shpejta, si dhe duke mbledhur informacion të çmuar për të shkuar më tej në përsosjen e përkujdesjes së shëndetit personal.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.