Celulari “bëhet” internet – Bie përdorimi i thirrjeve dhe SMS, rritet trafiku i të dhënave

Interneti po pushton gradualisht shërbimet e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, duke ndjekur tendencën e tregjeve më të zhvilluara.
Statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se koha mesatare e bisedave telefonike të shqiptarëve po ulet, ndërsa konsumi i trafikut të të dhënave po rritet me ritme të shpejta.
Për tremujorin e parë të këtij viti, çdo përdorues i telefonisë celulare foli në celular mesatarisht 165 minuta në muaj. Kjo shifër është në rënie me 3.2% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, konsumi mesatar i internetit arriti në 1.81 Gigabyte në muaj, në rritje me afro 10% krahasuar me tremujorin e fundit 2016.

Falë teknologjive që mundësojnë internet të shpejtë, si rrjetet 3G e 4G dhe aparatëve smartphone, edhe për shqiptarët, aparati celular po bëhet më shumë një instrument universal për të këmbyer informacion, sesa një mjet për të folur me të tjerët.
Vetë komunikimi direkt nga rrjeti po zëvendësohet shumë shpejt nga aplikacione te bazuara te interneti, si Viber apo Whatsapp. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që numri mesatar i mesazheve të shkurtra SMS nga rrjetet ka rënë sërish me 10% në tremujorin e fundit.
Por, përtej komunikimit ndërpersonal, tashmë aparati celular është një mjet për lundruar në internet dhe për të pasur akses në informacion kudo, pavarësisht nga vendndodhja. Sipas AKEP, tashmë janë 1.76 milionë shqiptare që përdorin internet me brez të gjerë përmes rrjeteve celulare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.