Centeno, kreu i ri i Eurogrupit – Zgjidhet ministri portugez, ndërkohë që Eurozona përgatitet për reforma
Ministrat e financave të Eurozonës zgjodhën për kryetar të ri të Eurogrupit ministrin e Portugalisë, Mario Centeno, një lëvizje që do t’i japë shtysë integrimit të mëtejshëm të bllokut të valutës.
Pesëdhjetë vjeçari do të jetë pasardhësi i holandezit, Jeoren Dijsselbloem, duke marrë detyrën më datë 13 Janar, ku do të drejtojë takimet mujore të Eurogrupit, që përbëhet nga ministrat e financave të Eurozonës dhe është organi më i fuqishëm i caktimit të politikave ekonomike të Bashkimit Europian.
Ekonomisti ka drejtuar Portugalinë gjatë rimëkëmbjes së fortë nga kriza e borxhit dhe gjatë programit të shpëtimit. Ekonomia e vendit është rritur me normën më të shpejtë në 10 vite dhe deficiti në buxhet, për të cilën vendi ka rrezikuar gjobitje nga Bashkimi Europian, pritet të bie në nivelin më të ulët në dekada.
Gjatë muajit Maj, ish-ministri i financave i Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble, e krahasoi Centeno me futbollistin portugez, Christiano Ronaldo, ndërkohë që vendi po dilte nga procedurat e disiplinës të BE, për shkak të deficiteve të tepërta publike.
Zgjedhja e tij u mbështet nga Franca, Gjermania dhe Italia, që janë 3 ekonomitë më të mëdha të bllokut. Ai mposhti në 2 raundet e votimit, 3 kandidatët e tjerë: Dana Reizniece-Ozola të Letonisë, Pierre Gramegna të Luksemburgut dhe Peter Kazimir të Sllovakisë.
Detyra e tij fillon në Janar, ndërkohë që Eurozona përgatitet për një serë reformash strukturore që do të ndryshojnë shumë funksione të bllokut. Komisioni do të prezantojë shumë propozime për integrimin e mëtejshëm ditën e Mërkurë, që synon fuqizimin e bllokut dhe përballimin e krizave të mundshme financiare në të ardhmen.
Centeno do të luajë një rol favorizues të këtyre propozimeve, përfshirë buxhetin e Eurozonës. I zgjedhur nga Kryeministri Antonio Costa në 2015-ën, ai ka përmbysur disa prej masave shtrënguese të prezantuara gjatë programit të shpëtimit.
“Unë do të përdor aftësitë e mia në promovimin e rritjes gjithëpërfshirëse dhe prosperitetit, që do të sjellin fundin e një periudhe shumë të vështirë për Europën”, tha Centeno në deklaratën e parë pas zgjedhjes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.