CEO-t takim me Trump – Në qendër të diskutimit, çështjet e “nxehta”

Donald Trump zhvillon të premten një takim me krerët ekzekutiv të kompanive më të mëdha amerikane, në një kohë që biznesi gjendet tërësisht i ndarë tashmë që administrata amerikane ka një shef të ri.
Drejtuesit ekzekutiv të UBER, FORD, Tesla, General motors, J.PMorgan,etj, e kanë kritikuar haptazi presidentin amerikan për politikat e tij. Gjithsesi, kompanitë amerikane bien dakord të paktën në një pikë, atë të shkurtimit të taksës korporative, një premtim elektoral i Donald Trump.
Edhe çështja e kërcënimeve të vazhdueshme të Trump ndaj kompanive që prodhojnë në Meksikë me qëllimin për ti shitur produktet e tyre më pas në Shtetet e Bashkuara, do të jetë në qendër të takimit mes Trump dhe drejtuesve të korporatave amerikane. Kompani të tjera, me Uber në krye, kanë kritikuar presidentin amerikan për politikën e emigrimit, kryesisht atë të ndalimit të myslimanëve të hyjnë në vend.
Kompanitë që operojnë kryesisht në sektorin e teknologjisë, i tremben kësaj politike. Kreu i Tesla, Elon Musk, deklaroi nëpërmjet Twitter: “Në mbledhjen e të nesërmes, unë dhe të tjerët do të shprehim objeksionet tona ndaj urdhrit më të fundit ekzekutiv mbi emigrimin si dhe do të japim sugjerimet tona për të ndryshuar këtë politikë”.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.