Çerdhet dhe kopshtet në Tiranë – Si fitohet reduktimi i tarifës në masën 50% dhe 100%
Familjet që kanë më shumë se një fëmijë në çerdhet apo kopshtet e kryeqytetit mund të përfitojnë reduktim të detyrimit mujor, në masën 50% ose 100%. Aplikimi bëhet pranë institucioneve ku fëmijët janë të regjistruar, duke filluar nga muaji shtator.
Familjet që kanë më shumë se një fëmijë në çerdhet apo kopshtet e kryeqytetit mund të përfitojnë reduktim të detyrimit mujor.
Ndërkohë që, sipas përfaqësuesve të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, aplikimi për uljen e tarifës mund të bëhet gjatë muajit shtator pranë institucioneve ku fëmijët janë të regjistruar.
Referuar vendimit të Këshillit Bashkiak “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore”, për fëmijën e dytë aplikohet ulje me 50%, ndërkohë që për fëmijën e tretë detyrimi mujor reduktohet në masën 100%.
Aktualisht, tarifa e ditë-ngrënieve për çerdhet është 130 lekë në ditë, çka do të thotë se për fëmijën e dytë ajo ulet në 75 lekë në ditë, ndërsa në rast se familja ka edhe një fëmijë të tertë ai do ta përfitojnë falas.
Ndërkohë që, tarifa e ditë-ngrënieve për kopshtet është 160 lekë në ditë. Në rast se familja ka 2 fëmijë në kopsht, atëherë për njërin prej tyre tarifa që do të paguhet është 80 lekë në ditë.
Ndërsa, sikurse në rastin e çerdheve, për fëmijën e tretë tarifa do të jetë 0 lekë.
Nga ana tjetër, për një sërë kategorish në nevojë, Vendimi i Këshillit Bashkiak parashikon përfitimin e shërbimit pa pagesë. Fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët e vajzave-nëna dhe fëmijët e familjarëve, ku kryefamiljare është nëna e ve janë disa prej përfituesve.
Po ashtu, nuk paguajnë tarifën e ditë-ngrënies edhe fëmijët e e familjeve ku kryefamiljare është gruaja e divorcuar, por që është nën pagën minimale në shkallë vendi, fëmijët e familjeve ku kryefamiljari është me paaftësi fizike ose mendore si dhe fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Të gjitha këto kategori ju duhet që të vërtetojnë gjendjen e tyre përmes dorëzimit të dokumentacionit përkatës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.