Certifikata të përbashkëta të produkteve bimore e shtazore mes Shqipërisë e Serbisë
Shqipëria dhe Serbia do të nisin një proces të përbashkët pune për unifikimin dhe harmonizimin e të gjithave certifikatave shoqëruese të produkteve bimore dhe shtazore.
Kjo u ra dakord gjatë takimit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi me delegacionin serb të kryesuar nga Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave, Branislav Nedimović.
Duke e konsideruar këtë takim të rëndësishëm në kuadër të klimës së mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve, Peleshi vuri theksin te volumi tregtar veçanërisht për produktet bujqësore. Sipas tij, tregjet e Shqipërisë dhe Serbisë përbëjnë një potencial për bashkëpunimin e mëtejshëm.
Ministri serb Nedimović shprehu gatishmërinë për çuarjen e këtij procesi përpara me shpejtësi. Ndërkohë, në fokus të diskutimeve është vënë edhe shkëmbimi i eksperiencës për rritjen dhe fuqizimin e produkteve tipike tradicionale.
Eksportet me Serbinë u rritën me 27.8% përgjatë vitit 2017 duke kapur vlerën 2 miliardë, krahasuar me vitin 2016.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.