Certifikatat online – Rama: Gjoba për punonjësit e gjendjes civile që vijojnë të printojnë
Gjoba për punonjësit e gjendjeve civile që vazhdojnë të japin certifikata. Këtë deklaratë e ka bërë kryeministri Edi Rama nga Vlora në një mbledhje me drejtuesit vendorë të qarkut. Në momentin e parë do gjobiten punonjësit e më pas gjendja civile, pasi sipas Ramës ata vijojnë të harxhojnë para nga xhepat e qytetarëve si dhe nga buxheti i shtetit.
“Nuk e kuptoj pse prodhoni akoma certifikata, kur ministri ka nxjerrë një urdhër që të mos printojnë dhe paguajnë për certifikatat? Për çfarë i prodhoni certifikatat? Ju duhet t’i thoni qytetarit se mund ta nxjerrë edhe vetë dhe mos paguaj. Kijeni parasysh këtë? Do gjobimin punonjësit e bashkive që nxjerrin certifikata. Do i paguajnë ata nga xhepi i tyre. Ne kemi bërë thirrje dhe prapë nxjerrin certifikata. Do detyrohemi të çojmë deri në fund këtë proces dhe do ua majmë paratë nga rroga atyre punonjësve të bashkisë që vijojnë të nxjerrin certifikata dhe nuk zbatojnë urdhra”, tha Rama.
Ndërkohë që kryeministri është shprehur se brenda mandatit do të mundohen që t’i japin fund procesit së azhornimeve topografike.
Sa i përket mjedisit në vijën bregdetare po punohet një skemë e re për menaxhimin e saj. Do të bëhet regjistrimi i të gjithë pronës shtetërore në mënyrë që t’i jepet fund abuzimit nga privati, ndërkohë që për higjienën e plazheve do të ndërtohet një strukturë paralele për të ndihmuar bashkitë bregdetare gjatë sezonit veror.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.