Çështjet, drejtpërdrejtë në Gjykata – Çela e Veliu, memorandum bashkëpunimi për rastet e viktimave akuzuese
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, me synim përmirësimin e koordinimit në trajtimin e materialeve kallëzuese që lidhen kryesisht me viktimat akuzuese.
Përmes këtij memorandumi të dy institucionet angazhohen të bashkëpunojnë për të përmirësuar procedurat e trajtimit të kallëzimeve, objekt i këtij Memorandumi.
Marrëveshja vjen pas konstatimit të një sërë problemesh të hasura në zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, mbi viktimën akuzuese dhe në referimet e tjera të Policisë Gjyqësore, që nuk përmbajnë elementë të veprave penale.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit do të koordinojnë veprimtarinë e tyre përmes nxjerrjes së udhëzimeve që do të shmangin zvarritjet që shkakton praktika e deritanishme në trajtimin e çështjeve.
Marrëveshja përcakton instrumente të posaçme që do të sjellin uljen e numrit të referimeve të dërguara nga Policia në prokurori, për disa vepra penale, për të cilat Kodi i Procedurës Penale parashikon të drejtën e viktimës për t’iu drejtuar drejtpërdrejt gjykatës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.