Çfarë diskutohet në Samitin e Berlinit-Nga Kosova te takimet e Merkel me kryeministrat e Ballkanit
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron presin në Berlin krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, Sllovenisë dhe Kroacisë.
Zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, tha të premten, 26 prill 2019, në Berlin se takimi synon shkëmbimin e mendimeve dhe ka karakter joformal. Demmer konfirmoi se Kosova është një nga temat kryesore, në pjesën e dytë të samitit. Sipas Deutsche Welle, në Prishtinë mediat shkruajnë se Samiti i Berlinit që mbahet nën organizimin e kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron, shihet si një mundësi që vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimorë të përfitojnë nga projektet e përbashkëta. Por në muajt e fundit, sidomos që nga ndërprerja e dialogut Kosovë-Serbi dhe vendosja e taksës për mallrat serbe, ka pasur ashpërsim të tonit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me akuza dhe kundër akuza. Serbia thotë se pa u hequr taksa, nuk rifillon dialogun me Kosovën, ndërsa, Prishtina zyrtare thotë se taksa mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Megjithëse takimi është joformal, pritet që të ketë një dokument ku do të përmblidhen rezultatet përfundimtare të takimit, të cilat do të firmosen nga të gjithë pjesëmarrësit.
Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, prandaj kjo nuk do të jetë temë e samitit vetë. Por si për kryeministrin shqiptar Edi Rama, ashtu edhe për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, janë paraparë takime bilaterale me kancelaren Angela Merkel, para fillimit të takimit. Temë këtu do të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE. Merkel dëshiron të theksojë kështu rëndësinë që u jep Gjermania këtyre dy vendeve dhe perspektivës së tyre në BE.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.