Çfarë do të ndodhë me pasuritë që i sekuestrohen krimit? Agjencia e Administrimit merr kompetenca të reja
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara do të marrë më shumë kompetenca. Një projektligj i depozituar në Kuvend synon të përcaktojë Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara si institucionin përgjegjës për administrimin edhe të provave materiale, përveç pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrativë, si dhe rregullat e procedurat për administrimin e tyre.
“Nëpërmjet këtij projektligji do të bëhet i mundur miradministrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga institucioni i posaçëm dhe organi kolegjial administrativ si dhe do të administrohen e kalohen në pronësi të shtetit provat materiale, sipas përcaktimeve të parashikuara” shkruhet në relacionin e nismës.
Në relacion evidentohet gjithashtu se miratimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për miradministrim më efiçent dhe kalimin e të gjitha kompetencave të administrimit te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila kalon në varësi të ministrit të Brendshëm, krijon Komitetin Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, i cili do të ketë kompetenca mbikëqyrëse për administrimin dhe vendimmarrëse për kalimin e të drejtave reale, mënyrën e përdorimit dhe vendimin e destinacionit të pasurive të sekuestruara e të Konfiskuara por edhe sipas legjislacionit në fuqi për masat për parandalimin, identifikimin, zbulimin, dokumentimin dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit.
Gjithashtu, me ndryshimet që propozon ky projektligj, pasuritë që do të jenë objekt i administrimit dhe i vendimmarrjes nga Agjencia dhe Komiteti nuk do të përcaktohen vetëm me vendim gjykate por edhe me urdhra administrativë nga institucionet e përcaktuara me ligj.
“Në këtë mënyrë, për të gjitha kategoritë e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, pavarësisht vendimit gjyqësor apo administrativ, do të sigurohet administrim dhe menaxhim i posaçëm nga i njëjti institucion shtetëror administrativ, Agjencia. Përparësitë dhe efektiviteti i këtij projektligji konsistojnë në fuqizimin e kompetencave dhe rritjen e proaktivitetit të institucioneve administrative për administrimin dhe vendimmarrjen më efikase dhe efiçente për përdorimin dhe destinimin e aseteve e të pasurive të sekuestruara si dhe për administrimin, tjetërsimin dhe asgjësimin e provave materiale.
Përqendrimi i administrimit dhe i menaxhimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara si dhe i provave materiale, në një institucion administrativ, propozimet e të cilit, për destinimin, përdorimin apo kalimin e të drejtave reale, do të miratohen nga një organ kolegjial, do të sigurojë një vendimmarrje shumë më të shpejtë në kohë, pa cenuar vazhdueshmërinë normale të aktiviteteve apo menaxhimin e tyre në kohë reale, duke siguruar të ardhurat apo rritjen e tyre, kur është e mundur, njëlloj si të ishin në administrim normal.
Vendimmarrja në fjalë do të sigurohet me asistencën e ekspertizës së teknikëve dhe të specialistëve të fushës, të cilët, në çdo rast, do të sigurohen nga Agjencia në njërën nga format e parashikuara në ligj, pa qenë nevoja t’i nënshtrohen vendimmarrjes gjyqësore. Gjithashtu, administrimi nga Agjencia i provave
materiale, për të cilat nuk ka një vendim disponimi në kuadër të proceseve penale, do t’i japë zgjidhje një problemi të kahershëm mbi përcaktimin e institucionit përgjegjës administrues për këtë kategori dhe kalimin e pronësisë së tyre për llogari të shtetit, sipas parashikimeve dhe afateve të parashikuara në ligj” shkruhet më tej në relacionin e nismës së Këshillit të Ministrave.
Nisma vjen në një kohë kur është miratuar një ligj special dhe një strukturë e posaçme për të goditur ekonomikisht krimin në vend. Prej disa javësh, personave me dënime për vepra të rënda penale po u sekuestrohen pasuritë dhe janë të detyruar të deklarojnë burimin e tyre, pasi përndryshe ato kalojnë në pronësi të shtetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.