Çfarë do të ndodhë në botë këtë jave – Ja 4 ngjarjet kryesore

Është e Hënë, fillimi i një jave të re ku edhe pse nuk mund të parashikojmë gjithçka që mund të ndodhë, mund të veçojmë 4 ngjarje të rëndësishme në botë për shtatë ditët në vazhdim:
-Fillon Muaji i Ramazanit
Muaji i shenjtë mysliman i Ramazanit fillon fundjavën e ardhshme (kur fillon saktësisht varet nga vendi ku jetoni).
Ky është muaji më i rëndësishëm në kalendar për 1,6 miliardë myslimanë të botës, të cilët do të agjërojnë ndërmjet agimit dhe perëndimit të diellit për t’u afruar me Perëndinë. Pirja alkoolit, pirja e duhanit, seksi dhe “sjelljet mëkatare” janë gjithashtu të ndaluara në këtë kohë.
Për shkak se kalendari Islamik është një kalendar hënor, muaji i shenjtë kalon përpara rreth 11 ditë çdo vit. Kjo do të thotë që për myslimanët në Lindjen e Mesme, Ramazani po lëviz më larg nga dita më e gjatë e vitit (prandaj orët e agjërimit po bëhen më të shkurtra çdo vit).
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shembull, njerëzit do të agjërojnë për vetëm rreth 15 orë këtë vit. Në vitin 2030, ai do të zbresë në vetëm 10 orë.
-Vijon investigimi për veprimet e presidentit Trump
Avokati i përgjithshëm i Donald Trump, William Barr, do të ketë disa pyetje të ndërlikuara për t’iu përgjigjur kësaj jave.
Le të rikujtojmë pak për çfarë bëhet fjalë: këshilltari special Robert Mueller përfundoi hetimin e tij për veprimet e Presidentit Trump dhe ekipit të tij.
Barr pas kësaj shkroi një përmbledhje të raportit të Mueller duke dhënë një konferencë shtypi që përsëriste pikat e tij kyçe, para se të lëshonte një version të redaktuar të raportit.
Megjithatë, pasi u lexua raporti, demokratët e akuzuan Barr-in për mashtrim të opinion publik si dhe për sjellje favorizuese partiake. Udhëheqësit demokratë në Kongres thanë se ishte “e qartë” që raporti “duket se e ka nënvleftësuar” përshkrimin e Barr.
Ai ka rënë dakord të dëshmojë para dy komiteteve të senatit, të mërkurën dhe të enjten gjatë kësaj jave.
-Perandori i ri i Japonisë
Të martën, perandori aktual i Japonisë, do të jetë i pari perandor që tërhiqet në më shumë se dy shekuj. Djali i tij, trashëgimtari Naruhito do të emërohet të mërkurën perandori i ri vendit. Është fillimi i një epoke të re në Japoni, që quhet Reiwa (që nënkupton rendin dhe harmoninë) e cila do të shfaqet në monedha, gazeta, patenta shoferi dhe dokumente zyrtare.
Nëse ndodheni në Japoni, vlen të përgatiteni sepse vendi po përgatitet të celebroj një festë 10-ditore dhe shumë shërbime bazike mund të mos funksionojnë. Bankat do të mbyllen gjatë kësaj periudhe dhe qeveria thotë se “ata që planifikojnë të tërheqin shuma të mëdha parash gjatë festës këshillohen që ta bëjnë këtë përpara”.
Ekziston edhe një kontekst interesant për këtë abdikim: ajo po çon në debatin për të ardhmen e familjes mbretërore dhe në veçanti për rregullin që gratë nuk mund të bëhen perandore.
-Java e tensionuar e Premier Ligës
Me vetëm dy ndeshje të mbetura nga sezoni i Premier Ligës, vetëm dy ekipe mund ta fitojnë atë dhe është gara më e afërt e titullit në vite.
Manchester City dhe Liverpool janë ngjitur njëra tjetrës në ‘luftën’ për në krye, dhe të dyja skuadrat po shfaqin formë shumë të mirë.
Kjo mund të jetë një fundjavë vendimtare në garën e titullit, Liverpuli do të luaj larg në Newcastle United, ndërsa Manchester City luan me Leicester City.
Ndoshta nuk vendoset diçka konkrete këtë fundjavë, por gjithçka është e mundur.
Burimi: BBC
Përshtati: Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.