Çfarë do të përmbajë marrëveshja e mirëkuptimit që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme? Rama: Qeveria gjatë një viti politik, mbledhje në një qark. Asambleja e PS, në fillim të Tetorit
Kryeministri Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se javën e ardhshme do të nënshkruhet një marrëveshje mirëkuptimi mes qeverisë, grupit parlamentar dhe Partisë Socialiste. Konkretisht, Rama gjatë fjalë së tij u shpreh se qeveria një herë në vit do të mblidhet në një qark të caktuar, jo si një mbledhje simbolike, por për të kaluar më shumë kohë dhe për të punuar me deputetët, me dëgjesa, me drejtuesit e institucioneve, për takime me komunitetin dhe pushtetin vendor:
“Ju bëj me dije se në mbledhjen e ardhshme të grupit do nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit mes kreut te grupit, sekretarit dhe ministrit, pra mes të gjithë anëtareve të grupit. Kjo marrëveshje do t’i shpërndahet të gjithë deputetëve, marrëveshja sanksionon rregullat e ndërveprimit të qeverisë, grupit parlamentar dhe PS, si dhe tërë pjesës të pandashme të ekipit qeverisës. Marrëveshja përmban gjithçka që na duhet për të pasur një fuqi qeverisëse, komunikuese me publikun si asnjëherë me parë.
Qeveria gjatë një viti politik do të mblidhet një herë në çdo qark, jo si një mbledhje simbolike që po shkojmë me projektvendimet në krah, por për t’u spostuar në çdo qark një here në vit dhe për të qëndruar atje me shumë, për të kaluar kohe dhe për të punuar me ekipin e deputeteve, për të thirrur në dëgjesa drejtuesit e institucioneve, për takime me komunitetin dhe pushtetin vendor. Çdo ministër një herë në muaj do të jetë në një qark. ”
Kryeministri Rama foli edhe për mbledhjen e Asamblesë në tetor, nga ku do të zgjidhet edhe kryesia, por nuk la pa përmendur edhe platformën e re për bashkëqeverisjen:
“ Dhjetëditëshin e parë të tetorit do të zhvillojmë Asamblenë për të zgjedhur kryesinë. Platforma që do të shpallim publikisht për bashkëqeverisjen nuk do jetë një “website” i radhës, por një mekanizëm i gjallë i bashkëqeverisjes”, pohoi Rama.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.