Çfarë do të thotë ngjyra e një pasaporte?

Pasaportat janë ura jonë lidhëse me botën, të cilat i lejojnë udhëtarët të lëvizin mes shteteve dhe të arrijnë në destinacionin e tyre.
Por përveç faktit që janë kaq të rëndësishme, ne rrallë mendojmë për cilësitë e tyre estetike. Çfarë kuptimi kanë ngjyrat e pasaportave?
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, shtetet mund të zgjedhin vetëm midis ngjyrës së kuqe, jeshile, blu dhe të zezë.
E kuqja
Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë pasaporta të kuqe. Këtu përfshihen edhe ato vendet të cilat aspirojnë BE si Shqipëria, Turqia dhe Maqedonia. Ndërkohë pasaportat e kuqe mund të tregojnë edhe të shkuarën komuniste të një vendi, si pasaportat e kuqe kineze dhe sllovene.

Jeshilja
Në rastin e ngjyrës jeshile, pasaportat mund të pasqyrojnë fenë mbizotëruese të një vendi. Vendet me shumicë myslimane si Arabia Saudite, Pakistani, Bangladeshi dhe Indonezia përdorin ngjyrën e gjelbër, ngjyrën e Islamit. Jeshilja është gjithashtu ngjyra e Komunitetit Ekonomik të Vendeve të Afrikës Perëndimore dhe të gjitha vendet e këtij unioni kanë pasaporta jeshile.

Bluja
Kjo është ngjyra më e zakonshme e pasaportave. Të gjithë anëtarët e Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) kanë pasaporta blu, gjithashtu edhe vendet e Mercosur si Brazili, Argjentina dhe Venezuela. Shtetet e Bashkuara përdorin ngjyrën blu në pasaportë, për të përfaqësuar ngjyrën e flamurit amerikan. SHBA ka përdorur më parë edhe ngjyrat e kuqe dhe jeshile.

E zeza
Pasaportat me ngjyrë të zezë janë ato më pak të përhapura, duke qenë se vetëm 10 shtete i përdorin. Pasaporta e Zelandës së Re është e zezë, bazuar tek ngjyra kombëtare. Vende të tjera afrikane si Çadi, Kongo, Zambia, etj. kanë pasaporta të zeza. Edhe shumë pasaporta diplomatike janë të zeza, çka nënkupton se personeli i aeroportit nuk mund ta ndalojë, vonojë apo arrestojë mbajtësin e kësaj pasaporte.

Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.