Çfarë e bën Shqipërinë tërheqëse? – Instituti i Vienës jep mendimin e 3500 kompanive gjermane
Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar një raport të zgjeruar mbi mundësinë e artë që tanimë kanë vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë për të tërhequr kompani të huaja. Raporti vjen edhe në formën e një ankete mbi 3500 kompani gjermane.
Por çfarë ofron Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit për këto kompani? 71% e atyre kompanive që kanë vendosur të investojnë në vendin tonë shprehen se arsyeja kryesore ka qenë oportuniteti për një treg të ri. Kjo përqindje është më e larta mes të gjitha vendeve të tjera të rajonit. Me nga 14% vlerësohen faktorë si vendodhja gjeografike dhe pagat e ulta.
Sa i përket aspekteve negative për të ardhur në Shqipëri, kompanitë gjermane të anketuara radhisin në vend të pare, me 6.4 pikë mbështetjen e dobët nga qeveria, si skemat incentivuese. Edhe qeverisja dhe institucionet e dobëta, ku përfshihet sundimi i ligjit apo korrupsioni merr një vlerësim të lartë sa i përket problematikave. Vendodhja gjeografike ndërkohë merr pikëzimin më të ulët si problametikë, çka e bën Shqipërinë të preferuarën në rajon nga kompanitë e huaja në këtë drejtim.
Sa i përket barrierave që hasin me kompanitë vendase, rreth 36% e tyre shprehen se pamundësia për të ofruar të njëjtat standarde dhe cilësi është problem madhor. Kjo përqindje është më e larta mes vendeve të rajonit.
Një anketim është kryer edhe mbi kompanitë vendase në rajon. Të pyetur për bashkëpunimin me kompani të huaja, në Shqipëri vetëm 40% e tyre shprehen se kanë një partneritet. Kjo është norma e dytë më e ulët në rajon, me Kosovën që është e fundit, me vetëm 25%.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.