Çfarë është 5G-ja dhe kur do të nisë përdorimi

Industria e telekomunikacionit ka disa kohë që bën zhurmë për këtë gjeneratë të re të shërbimit me shpejtësi të lartë. Kompanitë nëpër botë kanë nisur testimet dhe kanë filluar të dalin pajisjet e para wireless që e suportojnë 5G-në.
Por kalimi në 5G nuk është kaq afër sa mendohet. Së pari operatorët do të duhet të ndryshojnë tërësisht infrastrukturën e tyre masive.
Revolucioni 5G nuk përfshin thjesht internetin, por është krijuar për të lidhur pajisjet smart në shtëpi, dronët, makinat që ngiten vetë, e miliarda objektet e tjera të ndërlidhura.
Bazat e 5G
Praktikisht 5G është ajo çfarë mendohet, 4G shumë e shpejtë, tmerrësisht e shpejtë, e qëndrueshme. Do të zëvendësojë rrjetet Wi-Fi nëpër shtëpi dhe zyra, duke ofruar një mbulim më të mirë. Do të mund të shkarkosh një film në pak sekonda ose ta shohësh përmes internetit në 4K pa asnjë ngecje.
Si funksionon 5G
Rrjetet 5G operojnë në frekuencat e larta të bandës së valëve wireless, midis 30GHz dhe 300GHz, në atë çka quhet spektri milimetrik i valëve. Këto valë mund të transferojnë të dhëna shumë shpejt, por nuk udhëtojnë aq larg sa valët 4G. Ato gjithashtu kanë vështirësi të kapërcejnë muret, ndërtesat apo pengesat e tjera.
Nëse në një rrjet 4G LTE antenat mund të jenë të distancuara, kur të ndërtohet rrjeti 5G, operatorët do të duhet të vendosin më shumë antena për të mbuluar të njëjtën rreze. Pra do të ketë antena të vogla gjithandej.
Do të duhet të blej telefon të ri?
Po. Madje telefoni i ri do të ketë shumë antena, për t’iu përshtatur rrjeteve të ndryshme, por interneti do të jetë shumë i shpejtë.
Edhe sa duhet të presim?
Në SHBA, operatorët kanë parashikuar vitin 2020 si nisje të rrjetit. Megjithëse vëmendja nuk do të jetë tek telefonat, por tek pajisjet e tjera që do të përfitojnë nga kjo teknologji. Një gjë është e sigurt, se më në fund do ta vëmë televizorin 4K në përdorim të plotë.
Gjithsesi, kompanitë ende duhet të vazhdojnë testimet, përpara se ta prezantojnë teknologjinë tek publiku i gjerë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.