Çfarë është unioni ballkanik? – Do të ndërtohet mbi katër shtylla kryesore

Arritja më e madhe por edhe e pritshme e Samitit të Triestes është pikërisht zona e përbashkët ekonomike. Bashkimi Europian shpjegon se, kjo zonë ka për qëllim që të zhvillojë një hapësirë ku mallrat, shërbimet, investimet dhe punëtorët e kualifikuar të mund të lëvizin pa hasur në pengesa.
Në këtë mënyrë, një treg që do të ketë në tërësi rreth 20 milionë banorë do t`i ofrojë edhe investitorëve të huaj më shumë mundësi që t’i afrohen Ballkanit.
Roli i Bashkimit Europian në krijimin e kësaj hapësire do të jetë me rëndësi jetike, pasi do të ofrojë mbështetje politike, teknike dhe financiare.
Gjithsesi, vetë unioni sqaron se, çdo gjë do të varet nga vullneti i vendeve të rajonit për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm përpara drejt këtij objektivi.
Ky projekt nuk shihet aspak si një zëvendësues i integrimit europian, por si guri i parë drejt integrimit të rajonit.
Plani i aksionit që u firmos në Trieste përmban katër dimensione: Tregtinë, investimet, lëvizshmërinë dhe tregun digjital.
Një ndër aspektet më të rëndësishme është ajo e lëvizshmërisë. Vendet e rajonit janë dakordësuar që të eliminojnë çdo pengesë dhe burokraci nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të posaçme për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale për punëtorët, por edhe heqjen e pengesave për studentët, akademikët dhe kërkuesit shkencorë.
Dimensioni digjital përfshin një zonë roaming por edhe zhvillimin e rrjetit me bazë të gjerë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave.
Sa i përket kohës së fillimit dhe përfundimit të këtij projekti, Bashkimi Europian nuk mund të thotë dot asgjë, pasi çdo gjë varet nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.