Çfarë ka ndodhur me aksidentet rrugore?! – Analiza e DPSHTRR
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar analizën e aksidenteve rrugore të 10-mujorit 2021 dhe krahasimin me po atë periudhë në vitin 2018 e vitin 2019 (viti 2020 ka qenë me qarkullim të kufizuar nga masat anti-Covid19) për aksidentet rrugore me pasoja, fatalitetet, moshat e përfshira, kategoritë e përdoruesve të rrugës dhe disa nga shkaktarët kryesorë.
Sipas informacionit edhe pse ka rreth 110,000 mjete rrugore më shumë, të regjistruara gjatë 2020-ës dhe 2021-shit (në 12+10 muaj) si edhe 120,000 drejtues mjeti më shumë që kanë marrë leje-drejtimi për herë të parë në këto 22 muaj, kemi ulje të numrit të aksidenteve rrugore me pasoja dhe ulje të fataliteteve!
DPSHTRR informon se shifra mjaft pozitive tregojnë ulje të aksidenteve me pasoja nga drejtuesit e mjetit të moshës deri 24 vjeç dhe shumë më pak aksidente nga drejtues mjeti të moshave 25 deri 34 vjeç si dhe gjithashtu ka ulje të ndjeshme të aksidenteve nga moshat e reja, ulje edhe nga moshat 35 deri 60 vjeç.
“Rritja e vetëdijes, kujdesi i shtuar nga të sapopatentuarit, mjete më të sigurta nga një kontroll teknik më cilësor, edukimi më profesional nga Autoshkollat dhe testimet më të përgjegjshme nga Komisionet e DPSHTRR, kanë dhënë rezultat,” shkruan DPSHTRR.
Sipas analizës së publikuar ndikim ka patur edhe puna më e mirë e Policisë Rrugore me masat e kontrollet e shtuara ndaj kundërvajtësve dhe se statistikat sinjalizojnë rritje fatalitetesh nga pakujdesia e këmbësorëve në kalimin e karexhatave, tregues që kërkon punë me ndërgjegjësimin, infrastrukturën e sinjalistikën rrugore, edukimin dhe kujdesin me këtë kategori vulnerabil.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.