Çfarë ndodhi me pagat? Presidenti: Rrezikon paqen sociale. Fuga: Dokument illegal. Kallëzim në prokurori
Rrjedhja e një listë me të dhëna për pagat dhe kartat e identitetit të më shumë se 630 mijë qytetarëve ka shkaktuar debate të forta në Shqipëri. Lista që po shpërndahet nëpërmes platformave të komunikimit elektronik është cilësuar si një skandal i përmasave të jashtëzakonshme.
Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka cilësuar publikimin e listës si një akt kriminal që rrezikon paqen sociale duke cënuar sigurinë private të çdo qytetari.
“U njoha nga mediat për daljen në publik, të një liste me të dhënat sensitive personale të 637,138 qytetarëve të punësuar, në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës, një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve.
Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit.
Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cënuar sigurinë private të çdo qytetari.
I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve” ka deklaruar presidenti Ilir Meta.
Më e ashpër ka qenë opozita që e ka cilësuar si një skandal të përmasave të jashtëzakonshme. Në emër të PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj tha se të dhënat personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve gjenden sot të publikuara në rrjetet sociale dhe në duart e çdokujt që përdor aplikacionin e Whatsapp-it.
“Qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive për pagat, numrin personal të identifikimit, vendin e punës të mbi 630 mijë qytetarëve.
Partia Demokratike beson se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimit të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve. Të gjithë e dimë, se pak javë para zgjedhjeve, të dhënat personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve, të cilat disponohen vetëm nga qeveria, u keqpërdorën nga kreu i qeverisë Edi Rama për të blerë mandatin e tij të tretë.
Për ne, nuk ka asnjë dyshim se lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale. Sot paga dhe të dhënat sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve janë në Pazar për shkak të një shteti të rënë në duart e militantëve partiakë, që Edi Rama i përdor për pushtetin e tij personal. Sot çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë duhet t’i kërkojë Edi Ramës të japë dorëheqjen” deklaroi Alibeaj për mediat.
Në emër të qeverisë ka reaguar drejtori i Komunikimit Endri Fuga. Duke e cilësuar si “një dokument illegal”, Fuga tha se dokumenti është bashkim i disa copëzave të ndryshme. Fuga deklaroi se për këtë qëllim po përgatitet një denoncim zyrtar në prokurori.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndonjë asnjë eksport digjital të databazës së pagave për periudhën janar-prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.
Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu, databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument illegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbylllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të Tatimeve e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.
Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë” shkruhet në reagimin e Fugës.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.