Çfarë ndodhi në aksidentin tragjik që u mori jetën 45 personave?!
Të paktën 45 persona humbën jetën në një aksident autobusi në Bullgari herët të martën ndërsa kreu i shërbimit të kontrollit të fatkeqësive të vendit, Nikolay Nikolov, tha se “45 ose 46 persona vdiqën” në aksidentin, i cili ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit në një autostradë 40 kilometra në jug të kryeqytetit Sofje.
“Shtatë pasagjerë u shpëtuan” dhe u evakuuan në një spital në kryeqytet, tha Nikolov. Ata ishin dy gra dhe pesë burra. Pesë fëmijë ishin midis atyre që humbën jetën në aksident.
Fotot e marra menjëherë pas përplasjes treguan se autobusi ishte përfshirë nga flakët me shtëllunga tymi të dendur dhe të zi që dilnin nga vendi i ngjarjes.
Kryeministri në detyrë i Bullgarisë Stefan Yanev vizitoi vendin e aksidentit dhe u tha gazetarëve se ishte “një tragjedi e madhe”.
Autobusi, i cili ishte i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, po udhëtonte nga Stambolli për në Shkup. Shkaku i aksidentit në këtë fazë nuk mund të përcaktohet. “E vetmja gjë që është e qartë është se autobusi kishte targa maqedonase”, shtoi Janev.
“Kjo është një tragjedi”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një intervistë për Nova TV. Ai i tha gjithashtu kanalit televiziv bullgar bTV se kishte folur me një nga të mbijetuarit e autobusit.
“Një nga pasagjerët më tha se ishte në gjumë dhe u zgjua nga një shpërthim”, tha ai, duke shtuar se autoritetet do të mbledhin informacione që janë “të rëndësishme për familjet e të vdekurve dhe të mbijetuarit”.
Agjencia bullgare e lajmeve Novinite raportoi se përfaqësues nga ambasada e Maqedonisë së Veriut vizituan një spital ku u dërguan disa nga viktimat.
Në vitin 2019, Bullgaria, një vend i BE-së me 7 milionë banorë, kishte shkallën e dytë më të lartë të vdekshmërisë rrugore në bllokun 27-vendesh me 89 njerëz të vrarë për një milion banorë, sipas të dhënave të Komisionit Europian.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.