Çfarë po ndodh në Gjermani? Bllokimi i emigrantëve po përçan qeverinë! Ministri i Brendshëm paralajmëron dorëheqjen
Horst Seehofer, ministër i Brendshëm dhe lider i CSU-së është gati për të dorëzuar dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij në mosmarrëveshje me linjën e Angela Merkel për emigrantët duke mos e konsideruar të mjaftueshme marrëveshjen e arritur nga kancelarja në samiti europian të pak ditëve më parë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Seehofer ka konfirmuar vendimin e tij për të lënë lidershipin e CSU-së dhe rolin si ministër i Brendshëm “në ditët e ardhshme”.
Ai ka kërkuar edhe një takim me Angela Merkel që do të mbahet sot në orën 17:00 për të diskutuar çështjen e refugjatëve. Pas këtij takimi, ai ka thënë se do të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.
Pak më shumë se 2 javë më parë, në cilësinë e ministrit Seehofer ka kërcënuar se do të ndërmarrë një veprim të njëanshëm në emër të Gjermanisë me qëllimin që të bllokojë në kufi kërkuesit e azilit që janë regjistruar në vende të tjera. Angela Merkel ka shtyrë çdo veprim të njëanshëm dhe ka mbështetur linjën e zgjidhjeve europiane dhe marrëveshjeve shumëpalëshe çka ka sjellë një përplasje mes të dyve.
Seehofer e ka pezulluar ultimatumin e tij për dy javë, në pritje të samitit të Këshillit Europian, por edhe ka fiksuar në fillim të korrikut skadimin e afatit për të vendosur nëse do të pezullojë ose implementojë veprimin e njëanshëm në kufinjtë gjermanë.
Marrë me shkurtime nga “Ilsole24ore”/Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.