Çfarë pret BE nga takimi i 12 Korrikut? – Nga (A)ngazhimi për të rinjtë tek (Z)ona Ekonomike Rajonale

Më pak se 24 orë larg nga Samiti i këtij viti për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli zyrtar shprehet i bindur se takimi në Trieste do të japë fryte në nxitjen e bashkëpunimit rajonal për të avancuar në rrugën e përbashkët të anëtarësimit.
Sipas një deklarate për shtyp nga Komisioni Europian, gjatë samitit pritet të diskutohet në tre aspekte kyçe për bashkëpunimin rajonal:
1) ndërlidhja;
2) integrimi ekonomik rajonal/zhvillimi i sektorit privat;
3) kontaktet mes njerëzve.
Sa i takon pikës së parë, Komisioni shprehet se do të shpallë “fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e paketës vjetore të ndërlidhjes”. Gjithashtu pritet që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të firmosin një Traktat për Komunitetin e Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjetit të transportit në rajon me BE, dhe do t’i orientojë drejt reformave të nevojshme.
Në pikën e dytë, dhe atë më të rëndësishme, Komisioni pret që vendet partnere të bien dakord për një plan veprimi në zhvillimin e Zonës Ekonomike Rajonale, që synon të nxisë investimet dhe të prodhojë vende të reja pune.
Ideja është ajo e krijimit të një tregu të unifikuar prej 20 milionë njerëzish, falë mbështetjes nga BERZH e cila ka investuar deri tani 10 miliardë euro në rajon. Gjithsesi, eliminimi tërësor i barrierave doganore dhe harmonizimi i ligjeve për të thithur më shumë investime do të jetë një proces që kërkon kohë.
KE njofton se do të rrisë edhe mbështetjen e ndjeshme ndaj bizneseve të vogla e të mesme, ndërsa për herë të parë në Procesin e Berlinit shtohet edhe një dimension dixhital, me një plan për të integruar rajonin në tregun mbarë europian dixhital.
Gjithashtu, Forumi i Dhomave të Investimit, i cili mbledh dhomat e ndryshme të tregtisë, do të inaugurojë një zyrë të përhershme në Trieste, në mënyrë që kompanitë të mund të përfitojnë sa më mirë nga një zonë e përbashkët ekonomike.
Ndërsa për pikën e tretë të fokusit KE së bashku me qeverinë italiane po organizojnë forumin rinor BE-Ballkani Perëndimor, konkluzionet e të cilit do t’i prezantohen samitit. Liderët politikë të gjashtë vendeve pritet të konfirmojnë edhe përkushtimin e tyre ndaj skemës për shkëmbimin e nëpunësve të rinj civilë të rajonit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.