Çfarë pritet të sjellë tatimi i plotë i të ardhurave personale?

Gjatë diskutimeve në Kuvend për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit të ardhshëm është bërë publik projekti për tatimin progresiv të integruar të të ardhurave personale. Kjo nënkupton se të gjitha të ardhurat e individit e jo vetëm pagat do të tatohen progresivisht.
Aktualisht, peshën e vetme të tatimit progresiv për të ardhurat personale e mban tatimi mbi pagën. E në fakt. Ky zë rezulton me një mosrealizim nga muaji në muaj në buxhetin e shtetit. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, gjatë muajit Shtator rezulton se nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën të mblidheshin gati 1 miliard lekë më pak nga sa pritej, duke konfirmuar vështirësitë për mbledhjen e kësaj takse.
Edhe pse është një nga burimet kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit, e cila zë 8,6% të të ardhurave tatimore, për 9 muajt e parë të vitit ka një mosrealizmin nga sa ishte planifikuar, në masën 946 milionë lekë.
Për këtë zë ishte planifikuar të arkëtoheshin 3,482 milion lekë por në fakt janë realizuar 2,536 milion lekë. Deri në fund të vitit është parashikuar që nga tatimi mbi të ardhurat të arkëtohen 2.2 miliard lekë më pak nga sa ishte plani (plani 2017=36,200 mln lekë/realizimi i pritshëm deri në fund të vitit 34 miliard lekë).
E megjithatë, në buxhetin e vitit 2018, qeveria planifikon rritjen e të ardhurave nga zëri i “Tatimit mbi të ardhurat personale” me 3.3 miliardë lekë shtesë në vit. Gjatë vitit 2018 është parashikuar që nga tatimi mbi të ardhurat të arkëtohen 37,3 miliard lekë. Diferenca e buxhetit 2018 me të pritshmin e 2017 është 3.3 miliardë lekë më shumë vitin e ardhshëm.
Kjo mund të shërbejë edhe si tregues i politikave që pritet të ndjekë qeveria. “Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale vlerësohen me rritje 9.7% më shumë se viti 2017, me një realizim në masën 37.3 miliard lekë. Në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë rritja e numrit të kontribuesve aktivë bazuar në ecurinë e vitit 2017 dhe pritshmëritë për formalizim të mëtejshëm të të ardhurave nga punësimi” shkruhet në relacionin e buxhetit të vitit të ardhshëm. Nëse pritshmëritë për mbledhjen nga ky zë do të konkretizohen, atëhere në këtë rast do të kishim një rekord historik në të ardhurat që ky zë i siguron arkës së shtetit.
Jo zyrtarisht pranohet ekzistenca e hapësirave ligjore për “devijimin” e shkallës 23% të tatimit mbi pagat. Rruga e parë e ndjekur këto vite është ajo e “ndarjes” së të ardhurave nga paga në dy zëra (paga+bonus) apo edhe çelja e nipteve dhe regjistrimi i profesionist duke ndryshuar përgjegjësinë tatimore.
Qeveria pret që të rrisë hyrjet në buxhet nëpërmjet mbylljes së shtigjeve të evazionit ‘legal”. Arsyetimi se niveli i deklaruar i pagave mund të jetë shkaktari kryesor i këtij deficiti bazohet në faktin se të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore janë 1.3 miliardë lekë mbi parashikimin. Pra, për punonjësit kanë deklaruar nivele pagash nën 30 mijë lekë, çka i përjashton ata nga detyrimi i tatimit mbi të ardhurat personale, ndërkohë që duhet të paguajnë sigurimet njësoj si të tjerët.
Ky tatim përfshin gjithashtu taksimin në burim në masën 15% për pagesat që lindin nga burime si: dividentët, ndarjet e fitimit, interesat, pagesat për të drejtat e autorit, pagesat për qiratë, të ardhurat nga lojërat e fatit, etj.
Përfshirja e të gjitha të ardhurave në një regjim tatimi progresiv, në shkallën e sotme, nënkupton një rritje të masës së tatimit për ata që fitojnë më shumë. Po nga ata tjetër, mund të sjellë edhe një ulje të masës së tatimit për ata që kanë të ardhura si nga qiraja apo dividenti apo të drejtat e autorit, që aktualisht paguajnë 10% apo 15 % tatim e që më skemën e re mund të mos përjashtohen nga tatimi si rrjedhojë e shkallëve të tatueshme (nën 30 mijë lekë, zero tatim apo për të ardhurat nga 30-130 mijë lekë, 13 për qind të shumës mbi 30 000 lekë).
Gjithsesi, projekti për tatimin progresiv të integruar të të ardhurave mbetet vetëm një diskutim publik që sapo ka nisur për faktin se nuk ka ende një draft zyrtar dhe as një bilanc se sa përfitojnë lehtësim taksash e sa përfitojnë rritje të ngarkesës. Në ligjet që sjellin disa ndryshime të paketës fiskale e që do të aplikohen nga 1 janari i 2018, nuk është përfshirë një projekti i tillë, ende.
Për më shumë lexo edhe:
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.