CIA, për ekonominë në Shqipëri – Dobët sektori bujqësor, vlerësohet formalizimi
Në përditësimin e fundit të profilit të Shqipërisë në faqen zyrtare të inteligjencës amerikane, evidentohet fakti se ekonomia është rritur gradualisht që nga viti 2014, duke kulmuar me një rritje prej 3.8% në vitin 2017.
Megjithatë, CIA përmend si mangësi kodin kompleks të taksave dhe licencimin, sistemin gjyqësor të dobët, korrupsionin endemik, zbatimin e dobët të kontratave dhe çështjet e pronësisë, si dhe infrastrukturën e vjetëruar.
Sipas CIA-s, të gjitha këto kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja.
CIA evidenton edhe faktin se, që nga viti 2015, Shqipëria ka nisur një program ambicioz për të rritur përfshirjen në sistemin e taksave dhe për të futur më shumë biznese në ekonominë formale. Në korrik të vitit 2016, Shqipëria kaloi amendamente kushtetuese, që synojnë reformimin e sistemit gjyqësor, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe reduktimin e korrupsionit të thellë.
Në anën tjetër, remitancat, që janë një katalizator i rëndësishëm për rritjen ekonomike, kanë rënë nga niveli prej 15% në Prodhimit të Brendshëm Bruto përpara krizës financiare në vitin 2008, në rreth 5.8% në vitin 2015.
Sektori bujqësor, ndërkohë, që përbën rreth 40% të punësimit, por më pak se ¼ e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është i kufizuar kryesisht në operacione familjare apo në bujqësinë e ekzistencës, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe copëzimit të tokës në parcela të vogla dhe jo eficiente.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.