Cikli “Netët e Muzeut” – Jovan Basho prezanton leksionin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”

Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi të premten leksionin e radhës së ciklit “Netët e Muzeut”, me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare.”
Leksioni u mbajt nga mjeku dhe filatelisti Prof.Dr. Jovan Basho, i cili bëri një prezantim të hollësishëm të emisioneve të koleksionit filatelik shqiptar të lidhura me figurën e Skënderbeut.
Ai paraqiti përmes pamjeve disa prej këtyre emisioneve për Skënderbeun gjatë periudhës 1913-2005. Po ashtu, gjatë leksionit ai paraqiti edhe disa kuriozitete mbi emetimet e pullave postare të rralla, të kartëpostaleve me rëndësi historike, si dhe të gabimeve në emetime që i bëjnë pullat edhe më të kërkuara për filatelistët.
Në mbyllje të leksionit, të pranishmit patën mundësi të dëgjonin edhe një ekspozitë të ndërtuar nga koleksioni i Bashos, tematika e të cilës ishte “Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në emisionet postare të viteve 1913-1918”.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë hap dyert për të gjithë të interesuarit pas orarit zyrtar të punës përmes këtij organizimi. Vizitorët do të kenë mundësi që të vizitojnë ambientet e Muzeut si dhe të dëgjojnë leksione mbi tematika të ndryshme, të cilat nuk përfshijnë vetëm monedhën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.