Cikloni “Fani” godet Indinë – Evakuohen 1 milion njerëz. Nuk janë raportuar viktima
Një ciklon i fuqishëm ka goditur zonat bregdetare të Indisë Lindore, me rrebesh dhe erëra që kalonin shpejtësinë e 200 km/h. Megjithatë, nuk janë raportuar viktima dhe mbi 1 milionë persona janë evakuuar përpara se të godiste cikloni.
Cikloni tropikal Fani, pasi kishte grumbulluar fuqi përpara disa ditësh në gjirin e Bengalit, goditi bregdetin e Odisha ditën e Premte, sipas Departamentit Meteorologjik të Indisë.
Shteti kishte evakuuar më shumë se 1 milionë njerëz nga komunitetet që ndodheshin më në rrezik në 24 orët e fundit. Erërat e forta shkulën pemë dhe shtyllat e energjisë elektrike në qendrën e Odisha, Bhubaneshwar, ku aeroportet ishin mbyllur.
Qindra personel të menaxhimit të fatkeqësive natyrore u pozicionuan, ndërsa stafit mjekësor i’u kërkua të shtynin të gjithë lejet deri më 15 Maj. Sezoni i cikloneve në Indi mund të zgjasë nga Prilli në Dhjetor, ku stuhitë e mëdha shkatërrojnë qytetet bregdetare, shkaktojnë vdekje dhe dëmtojnë pronat në Indi dhe Bangladesh.
Përparësitë teknologjike kanë ndihmuar meteorologët që të parashikojnë motin dhe autoritetet janë përmirësuar në parapërgatitjet për stuhitë vdekjeprurëse. Një ciklon gjigant rrafshoi gjirin e Odisha për 30 orë në vitin 1999, duke lënë të vdekur 10,000 persona, ndërsa në vitin 2013, një evakuim gjigant prej mbi 1 milionë persona shpëtoi mijëra jetë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.