Cila është ‘princesha e trishtuar’ që po bëhet Perandore?
Pas emërimit të tij ditën e djeshme si perandori më i ri i Japonisë, trashëgimtari Naruhito së bashku me bashkëshorten e tij princeshën Masako, do të jenë nëpër takime publike duke filluar që nga data 4 Maj. Ceremonia zyrtare e kurorëzimit të perandorit Naruhito, është planifikuar për në 22 Tetor por e panevojshme të imagjinohet se çfarë do të veshë perandorja, Masako, për ngjarjen e madhe, pasi ajo nuk do të marrë pjesë. Kjo mungesë në kurorëzim (ku nuk ka një kurorë), nuk është një veprim kundrejt personit por më tepër një nga diktatet e protokollit të rreptë të perandorisë. Një sërë rregullash jo fleksibël të cilat kanë qenë gjithnjë të shtrënguara për atë që njihen ndryshe si ‘princesha e trishtuar’ e Lindjes së Diellit, e cila gjatë 25 vjetëve martesë me trashëgimtarin e fronit Naruhito u diagnostikua me stres nga mos përshtatja dhe një depresion të fortë lidhur me rolin e saj si perandore e ardhshme.
Edhe pse pseudonimi i saj është një referencë e qartë me të palumturën Lady Diana, historia e Masakos nuk është aspak e ngjashme përveç alergjisë për jetën e mbretërisë dhe humbjes së pavarësisë individuale. Ajo ka lindur në Tokyo në 11963 dhe u martua me princin Naruhito kur ishte në moshë të pjekur 30 vjeçare.
Ajo nuk është një vajzë naive që u rrit nën hijen e shtëpisë mbretërore, duke synuar rolin e sundimtarit, përkundrazi, në momentin e shkëmbimit të unazave, princesha dispononte një diplomë në ekonomi të Harvardit dhe, pas periudhave të tjera studimesh në Oksford dhe Universitetin e Tokios, e kishte nisur tashmë karrierën e saj diplomatike. Ajo pranoi propozimin e dashurisë vetëm herën e tretë, pas dy refuzimeve paraprake, dhe nuk është e qartë çfarë e shtyu atë të bashkohej në martesë: dashuria, prestigji apo nderin i thirrjes për një rol kaq unik.
Vetëm në vitin 2001 lindi vajza e vetme dhe e dëshiruar e çiftit, Princesha Aiko. Masako, nën peshën e presionit publik që shpresonte për ardhjen e një trashëgimtari mashkull (me ligj, gratë nuk hyjnë në vijën e trashëgimisë në fron) mbetet në hije, duke shmangur çdo rast zyrtar. Është pikërisht bashkëshorti i saj i cili do t’i shpjegojë më arsyen, duke i kërkuar popullit japonez ta mbështesë Masakon në luftën e saj kundër depresionit.
Edhe pse mes një lumë dyshimesh për gjendjen e saj shpirtërore dhe psikologjike, nga nesër do të thirret për të sunduar mbi Japoninë (edhe pse pa ndërhyrje “ekzekutive”) së bashku me bashkëshortin, dhe kush e di ndoshta pasiguria e saj kthehet në një shtysë për ndryshim.
Burimi: Il Sole 24 Ore
Përshtati: Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.