Cilat do të jenë vendimet e para të qeverisë së re? Nga “pastrimi” i administratës e rishikimi i buxhetit te “shkrirja” e ALUIZNIT e Hipotekave!

Në daljen e parë televizive pas rikonfirmimit nga zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri Edi Rama zbuloi detaje të asaj se çfarë pritet të ndodhë në vijim. Një ndër zhvillimet e pritshme është rishikimi i buxhetit të shtetit që do të ketë në fokus sigurimin e fondeve për blerjen e energjisë elektrike në kushtet e thatësirës.
Ndërkohë, gjatë intervistës në “Top Story” të Sokol Ballës, kryeministri zbuloi edhe projektin e nisur për pastrimin e administratës publike. Rama tha se të gjithë ata që janë të padenjë për të shërbyer në administratë do të largohen, qoftë edhe me statusin e nëpunësit civil. Në këtë projekt, kryeministri tha se nuk ka qellime politike.
“Në asnjë mënyrë nuk do të bëjmë një proces ku do të godasim politikisht njërin apo tjetrin por do të godasim logjikisht çdo sektor, strukturë e individ që nuk është i denjë për të qenë pjesë e administratës. Sa i përket shërbimit civil, do të respektojmë plotësisht ligjin dhe me siguri, edhe kush në shërbimin është i padenjë, nuk diskutohet se përmes mekanizmave ligjorë do të largohet dhe pastaj sipas rasteve do të shohim” tha Rama.
Duke paralajmëruar ristrukturimin e qeverisë që merr detyrën në shtator, kryeministri bëri të ditur projektin për të ristrukturuar institucione të rëndësishme me qëllim lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave të ofrimit të shërbimeve. Në këtë kuadër, kryeministri paralajmëroi “shkrirjen” e Agjencisë së Legalizimeve dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që do t’i bashkangjiten Agjencisë së Trajtimit të Pronës.
“Ka ardhur koha që ne mund të bëjmë atë që kam thënë para 4 vitesh që nuk do të ketë më ALUIZN-i veç, hipoteka veç dhe Agjenci Kthimi Pronash veç. Do të punojmë që çdo qytetar që shkon në një zyrë për të marrë një shërbim, për të gjithë dokumentet që duhet t’i japë shtetit, por vetë ajo zyrë ku kërkon shërbimin duhet të garantojë gjithë dokumentet e tjerë. Qytetari duhet të sjellë vetëm dokumentet që lidhen me bankat apo me jashtë vendit” tha Rama.
E sa i përket programit të rilindjes urbane, kryeministri tha se në 4 vitet e ardhshme projekti do të vijojë por tashmë do të shtrihet në zonat rurale e si i tillë do të emërtohet programi i “Rilindjes Rurale”.
Vijon…
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.