Cilat janë humbjet dhe fitoret e taksës së Kosovës mbi produktet serbe?
Vendosja e taksës 100% mbi produktet serbe që importohen në Kosovë, pritet të ketë pasoja për të dyja vendet. Mirëpo, nga krahasimi midis peshës që bie mbi palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, lind pyetja se cila është më e madhe.
Në një intervistë për SCAN, eksperti i ekonomisë Hekuran Murati përshkroi shkurtimisht efektet që do ketë kjo taksë mbi ekonominë dhe sidomos konsumatorin e Kosovës. Ndërkohë, ai gjithashtu tha se kjo është një mundësi e mirë që bizneset shqiptare të forcojnë pozitën e tyre në industrinë e materialeve të ndërtimit dhe produkteve ushqimore.
Intervista e plotë:
- Cila është sipas jush, arsyeja e vendosjes së kësaj takse?
Arsyetimi i Qeverisë në lidhje me këtë vendim është se Serbia nuk po respekton marrëveshjen e CEFTA-s dhe një sërë marrëveshjesh tjera të arritura në mes të dyja vendeve. Sidoqoftë, fakti që kjo masë po mirret tek tani kur heqja e regjimit të vizave për Kosovën ka ngecur, lë hapësirë për t’u interpretuar edhe si tentim-shantazhi ndaj BE-së për heqjen e vizave.
- A e mbështesni në pozicionin tuaj si ekspert, vendimin e qeverisë?
Pavarësisht motivit që mund të ketë Qeveria, unë e mbështes këtë masë sepse konsideroj që është arma e vetme diplomatike që kemi karshi Serbisë. Madje ftoj Qeverinë që kjo të eskalohet deri në bllokim total të produkteve serbe.
- Çfarë pritet të arrihet nëpërmjet këtij vendimi të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës?
Do të dëshiroja që kushti i panegociueshëm për heqjen e kësaj mase të jetë njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Por se sa do të rezistojë Qeveria e Kosovës mbetet të shihet.
- Cili mendoni se do të jetë impakti në tregun e Kovovës, në terma sasie dhe sektorësh që do të preken më shumë?
Impakti më i madh konsideroj që do të vërehet cmimin e grurit, ngase rreth 95% e asaj që importohet vie nga Serbia. Megjithatë, të pasurit e Euros si valutë, ua mundëson konsumatorëve kosovarë që të kenë qasje në shumicën e tregjeve rajonale dhe cdo lëvizje e cmimit do të jetë e përkohshme dhe minimale.
- Presidenti serb foli për një humbje prej 1 milionë eurosh çdo ditë për ekonominë serbe. Sa mendoni se do të jetë fitimi për ekonominë e Kosovës dhe sa do të jenë humbjet?
Konsideroj që kjo temë duhet trajtuar vetëm në aspektin politik marrë parasysh raportin që Kosova ka me Serbinë, dhe ky hap është dashur të ndërmirret qëmoti pavarësisht kostos ekonomike në afatshkurtë.
- Cilat janë efektet që do iu shkaktohen bizneseve (importuesve të Kosovës në Serbi)?
Efekti i menjëhershëm do të jetë rënia e shitjes dhe të hyrave, gjë që i detyron ose të kërkojnë tregje të reja për plasim të produkteve, ose të largojnë nga puna një pjesë të punëtorëve për t’u përshtatur me dinamikën e re të shitjes.
- Përsa iu përket konsumatorëve, a do të transferohet taksa direkt tek çmimi final i produkteve? Dhe nëse po, cila do të ishte alternativa për të zbutur efektin e saj?
Taksa patjetër se do të transferohet tek cmimi final, kurse alternativa është që importuesit të sigurojnë produkte zëvendësuese nga vende tjera.
- Sa potencial ka Shqipëria për të zëvendësuar praninë e Serbisë në tregun Kosovar pas këtij vendimi?
Marrë parasysh sasinë e madhe që Kosova importon aktualisht nga Serbia është e vështirë të mendohet se Shqipëria do të jetë në gjendje të mbushë hendekun e krijuar. Mirëpo mendoj që disa prej produkteve sic janë materialet ndërtimore apo produktet ushqimore mund edhe të zënë vendin e produkteve serbe pa problem.
Përgatiti për SCAN: Ergisa Bejkollari
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.