Cilat janë rreziqet psikologjike të një udhëtimi në Mars?!

Ndër aspektet më të vështira të çdo misioni të ardhshëm në Mars, sigurisht që është distanca e konsiderueshme për t’u mbuluar dhe izolimi të cilit ekuipazhi do t’i nënshtrohej në mënyrë të pashmangshme gjatë udhëtimit. Vitet e fundit, disa studime janë përpjekur të simulojnë efektet e një përvoje të tillë në psikologjinë dhe dinamikën e një grupi të mundshëm astronautësh, me efekte që nuk janë gjithmonë të parashikueshme apo inkurajuese.
I fundit nga këto eksperimente u krye në Rusi: qëllimi i studimit ishte të verifikonte evolucionin e komunikimit midis ekuipazhit dhe kontrollit të misionit gjatë një udhëtimi hipotetik prej mbi 380 milionë kilometrash.
Projekti SIRIUS (Scientific International Research In Unique Terrestrial Station) ky është emri i eksperimentit, ku përfshiheshin dy grupe prej 17 personash, të cilët midis 2019 dhe 2020 u mbyllën për 120 ditë në një strukturë që simulonte brendësinë e një anije kozmike që udhëtonte në hapësirë të thellë.
Hulumtimi ka nxjerrë në pah se si vonesa progresive në komunikimet midis ekuipazhit dhe Tokës, e cila rritet me distancën e përshkuar nga anija kozmike, së bashku me izolimin, kontribuojnë në ndryshimin e modeleve të ndërveprimit midis astronautëve dhe kontrollit të misionit në Tokë. Nga pikëpamja praktike, studimi tregoi se si, me kalimin e ditëve, ekuipazhi priret të jetë më pak i përpiktë në raportimin e asaj që ndodh në bord dhe të bëhet gradualisht më autonom në marrjen e vendimeve.
Nëse nga njëra anë fakti që astronautët sillen gjithnjë e më shumë si një ekip është pozitiv në vetvete, është mjaft shqetësues fakti që, nga mesi i misionit e në vazhdim, e konsideron gjithnjë e më pak të rëndësishme konsultimin e kontrollit të misionit edhe në situatat më kritike. Kjo sjellje, shpjegojnë studiuesit, rrezikon të komprometojë një mision të ardhshëm sepse largon qendrën e kontrollit nga ajo që ndodh në bord. Studimi konfirmoi gjithashtu ndryshimet në sjellje midis burrave dhe grave që ishin shfaqur tashmë gjatë eksperimenteve të tjera të ngjashme.
Psikologët kanë vërejtur se gratë priren të jenë më të sakta dhe të rregullta në komunikimin e tyre me Tokën, dhe gjithashtu kanë më shumë gjasa të raportojnë probleme. Burrat, nga ana tjetër, fokusohen më shumë në “bërjen” dhe zgjidhjen e çdo ngërçi pa u ndjerë të detyruar të bëjnë raporte të detajuara siç kërkohet nga procedurat.
Më 4 nëntor “filloi” një mision i ri SIRIUS, me një kohëzgjatje të parashikuar prej 8 muajsh: kush e di nëse 17 vullnetarët do të rezistojnë deri në fund… FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.