Cilat janë shkollat që do të ndërtohen me PPP në njësitë nr. 6 dhe 7 në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka hapur megatenderin për ndërtimin e shkollave të reja edhe në Zonën Tirana 2, e cila prek njësitë 6 dhe 7. Vlera e kontratës në partneritet publik-privat kap shifrën e 1.57 miliardë lekëve, ose 11.8 milionë eurove.
Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratore, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të katër objekteve mësimore.
Vetëm pas përfundimit të ndërtimeve, Bashkia do t’i paguajë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj.
Objektet mësimore që do të ndërtohen janë si më poshtë:
- Shkollë 9-vjeçare pranë Kombinatit të Mishit Yzberisht, kapaciteti 900 nxënës, 30 klasa
- Shkollë 9-vjeçare pranë rrethrrotullimit të Doganës, kapaciteti 900 nxënës, 30 klasa
- Shkollë e mesme pranë Kombinatit të Mishit Yzberisht, kapaciteti 630 nxënës, 21 klasa
- Shkollë e mesme pranë Lumit Lana, kapaciteti 630 nxënës, 21 klasa
Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më datë 4 Janar, ndërsa oferta ekonomike do të luajë një rol kryesor në përcaktimin e fituesit.
Ndërtimi i këtyre objekteve përputhet me objektivat e Ministrisë së Arsimit, bashkëfinancuese në këtë tender, për lehtësimin e kapaciteteve në shkolla, duke reduktuar numrin e nxënësve për klasë.
Angelo Haruni/SCAN
Hapet megatenderi 2 miliardë lekë për ndërtimin e shkollave në Tiranë – PPP me likujdim pas 7 vitesh
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.