Cilat janë shtetet nga blejmë qumësht? – Serbia dominon importin, konkurron më çmim fermerët shqiptarë!

Pesë partnerët kryesorë nga të cilët Shqipëria importon qumësht përsa i përket vëllimeve, janë Serbia, Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia. Sipas të dhënave të raportit të publikuar në raportin e hartuar Ministria e Bujqësisë dhe GIZ, të cilat i takojnë vitit 2019, sa i përket gjeografisë së importeve, Serbia dhe Italia përfaqësojnë 2/3 e importit të qumështit si në sasi ashtu edhe në vlerë. Importet nga Serbia përbëhen pothuajse ekskluzivisht në qumësht gjysmë të pasterizuar, ndërsa importet nga shumica e vendeve të tjera kryesisht konsistojnë në qumësht UHT në paketim me pakicë.
Serbia është partneri kryesor në sasi dhe në vitin 2019 ka eksportuar afër 5 mijë tonë qumësht të freskët në vlerë rreth 2 milionë euro; Italia përfaqëson partnerin kryesor në aspektin e vlerës, pasi në vitin 2019 eksportoi afër 3.7 milionë euro qumësht të freskët apo rreth 5 mijë ton. Partnerët e tjerë tregtarë të Shqipërisë janë Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me përkatësisht 1,663 dhe 1,429 ton eksport qumështi drejt Shqipërisë në vitin 2019. Çmimet e importit të qumështit për tre vitet e fundit janë më të larta se ato të eksporteve, gjë që tregon tregje me cilësi më të ulët ose më pak shpërblyese për qumështin vendas.
Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut eksportojnë qumësht të freskët me çmime të ulëta , të cilat luhaten nga nga 0.39 deri në 0.51 euro. Shumica e këtyre importeve konsistojnë në qumësht gjysmë të pasterizuar të importuar direkt nga kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit për t’u përpunuar më tej në Shqipëri. Çmimi i qumështit gjysmë të pasterizuar të importuar në Shqipëri nga Serbia, duke përfshirë transportin dhe përpunimin e parë, është mesatarisht 39 cent për litër. Ky çmim korrespondon me 48 lekë / litër, shumë më pak se çmimi i paguar për fermat e mëdha të qumështit shqiptar (58 deri në 62 lekë / litër , për një qumësht me cilësi të krahasueshme (por për transportin e qumështit serb dhe shpenzimet e para të përpunimit duhet të merren parasysh). Çmimet e bjënë më pak konkurrues fermerin shqiptar dhe i japin më shumë terren shteteve të huaja.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.