Cilësia e plazheve nën standard – Tare: Bashkitë s’bashkëpunojnë, më problematike Durrësi e Golemi
Strukturat turistike shqiptare as këtë sezon nuk do arrijnë t’u garantojnë pushuesve standardet e duhura të cilësisë së ujit si dhe të shërbimit nga stacionet e plazheve.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare thotë për SCAN TV se shkaku kryesor është mungesa e bashkëpunimit nga ana e njësive vendore.
“Ende unë mendoj se nuk jemi në standardin që duhet të jemi, sepse kemi kushtet që duhen për të qenë në një nivel më të lartë, aq më tepër që shumë subjekte private kërkojnë standarde. Por fatkeqësisht, për arsye nga më të ndryshmet, bashkitë të cilat kanë detyrimin ligjor për të rritur standardin e kërkesës për cilësinë e plazheve, ende nuk i kanë zbatuar ato standarde që kërkohen nga ligji dhe nga vendimi i Këshillit të Ministrave për plazhet, siç është pastrimi i plazheve, pra shumë shumë i rëndësishëm; është edhe standardi i sigurisë në plazhe”.
Tare thotë se cilësia më e dobët e ujit haset në plazhet e Durrësit e Golemit, për shkak të ndërtimeve të shumta dhe shfrytëzimit pa kriter në vite.
“Që në marrjen e detyrës time, kam kërkuar me forcë që në të gjithë mjetet me të cilat publiku informohet, duhet të merren kampionët. Dhe çdo javë, ka mundësi, është e thjeshtë, për të publikuar cilësinë e ujërave, që jo vetëm të mbrojmë publikun tonë, por të detyrojmë edhe ato bashki, edhe ato subjekte, të marrin masa që plazhi i tyre të jetë i pastër. Pak a shumë qytetarët e dinë, zona e Durrësit dhe Golemit ka probleme, megjithëse ka përmirësim, por ka probleme sepse nga ndërtimet masive që kanë ndodhur në atë zonë, shumë pallate, shumë godina nuk janë të futura në sistemin kryesor të ujërave të zeza”.
Kreu i Agjencisë së Bregdetit thotë se licencat për stacionet e plazheve janë dhënë në bazë të interesave e njohjeve të krerëve të bashkive. Kjo ka sjellë edhe një evazion të dukshëm në këtë sektor, duke qenë se bashkitë arrijnë të mbledhin vetëm rreth 700 mijë euro taksa nga licencat e stacioneve të plazhit, ndërkohë që këto të ardhura duhet të arrijnë nga 6 në 8 milionë euro.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.