Cilët janë faktorët që ndikojnë në kursin e këmbimit? Nga inflacioni te mjedisi politik e spekulimet për të ardhmen

Kursi i këmbimit është një nga elementët më të rëndësishëm të ekonomisë së një vendi. Eksportet, normat e interesit, aktualiteti politik, inflacioni e të tjerë, prekin në mënyrë të drejpërdrejtë ose jo monedhën vendase. Ngjarjet politikë apo ekonomike që ndodhin në një vend mund të ndikojnë në rivlerësimin apo edhe zhvlerësimin e monedhës. Për këtë arsye, është e rëndësishme të njihen faktorët që prekin këtë element dhe pasojat që mund të shkaktojnë.
Normat e inflacionit
Një vend me normë të ulët inflacioni konsiderohet si i sigurt dhe i shëndetshëm ekonomikisht. Çmimet e produkteve janë më të ulëta dhe monedha rivlerësohet duke u bërë më e shtrenjtë.
Normat e interesit
Kursi i këmbimit, norma e interesit dhe ajo e inflacionit janë të treja të lidhura me njëra tjetrën. Kështu, rritja e normave të interesit sjell më shumë fitime për huadhënësit duke tërhequr më shumë investitorë dhe capital të huaj dhe në fund edhe një rivlerësim të monedhës vendase.
Balanca e pagesave (deficit-suficit)
Në varësi të diferencës midis eksporteve dhe importeve, ndryshon dhe vlera e monedhës. Kështu një rritje e eksporteve, do të sillte një suficit dhe do të rriste vlerën e monedhës. Nga ana tjetër, më shumë shpenzime do të sillnin një rritje të deficitit dhe një shtrenjtim të monedhës.
Borxhi publik
Një vend me një borxh të lartë publik ka më pak shanse të tërheqë investitorë të huaj dhe si pasojë edhe monedha vendase zhvlerësohet dhe bëhet më e lirë.
Kushtet e këmbimeve tregtare
Në varësi të çmimeve dhe tarifave tregtare, përcaktohet dhe niveli i eksporteve dhe importeve. Dhe ashtu siç u përmend më sipër, një ndryshim në nivelin e këtyre të dyjave ndikon drejtpërdejt monedhën. Më shumë eksporte dhe më pak importe, monedhë më e shtrenjtë. Më pak eksporte dhe më shumë importe, monedhë më e lirë.
Mjedisi politik
Investimet e huaja shkojnë në vende të cilat kanë stabilitet politik dhe tërhiqen nga vendet ku ekzistojnë konflikte apo luftëra. Prandaj, sa më i sigurt dhe i qetë të jetë një vend, aq më shumë rritet kapitali i huaj dhe aq më shumë rivlerësohet monedha vendase.
Recesioni
Shtetet që përjetojnë recession ekonomik kanë më shumë shanse për të përjetuar gjithashtu dhe një zhvlerësim të monedhës. E kundërta ndodh në një vend me rritje të vazhdueshme ekonomike.
Spekulimet për të ardhmen
Ajo çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen, ndikon veprimet e së tashmes. Kështu, nëse investitorët presin që vlera e monedhës në të ardhmen do të rritet, ata fillojnë e investojnë. Rritja e investimeve rivlerëson monedhën dhe e shtrenjton atë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.