Çmimet dysheme për shërbimet dentare, reagon Autoriteti i Konkurrencës!
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një proces vlerësimi për aktin normativ që përcakton vendosjen e çmimeve dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare. Duke iu referuar njoftimit të bërë publik nga Asambleja Kombëtare e Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar, Autoriteti shprehet se pas vlerësimit të aktit, do të shprehet zyrtarisht me një vendimmarrje nëse ky akt bie në kundërshtim apo jo me ligjin e vitit 2003.
“Sipas listës së publikuar, Urdhri i Stomatologut ka vendosur çmime dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare për: Terapinë, Ortopedinë, Kirurgjinë dhe Ortodoncinë.
Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka si mision mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të nenit 69 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës të çdo projekt-akti normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me: a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.
Për sa më sipër Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë këtë akt normativ dhe do të shprehet me vendimmarrje nga ana e Komisionit të Konkurrencës nëse ky akt bie në kundërshtim ligjin nr. 9121/2003” njofton Autoriteti i Konkurrencës.
Lexo edhe:
Rriten çmimet e dentistit?! – Urdhri i Stomatologut vendos çmime dysheme, Deda: S’janë detyruese
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.