Çmimet e banesave, BSH: U rritën me 4.6% për vitin 2016
Çmimet e banesave në Tiranë për tremujorin e fundit 2016 u rritën me 4%. Sipas indeksit që llogaritet nga Banka e Shqipërisë, viti 2016 u mbyll pozitivisht për çmimet e banesave në kryeqytet.
Për të gjithë vitin 2016, çmimet u rritën mesatarisht me 4.6%, duke treguar se tregu i pasurive të paluajtshme ka nisur një cikël të ri rritje pas rënies disavjeçare që shoqëroi krizën ekonomike. Në vitet e krizës, rënia e remitancave, shtrëngimi i kredisë bankare dhe pesimizmi e frenoi kërkesën për pasuri të paluajtshme.
Rënia e çmimeve u motivua edhe nga faktorë të krahut të ofertës, si mbingopja e tregut me ndërtime në zonat periferike të kryeqytetit. Por, vitin e kaluar duket se gjërat kanë ndryshuar disi. Çmimet e pasurive të paluajtshme në disa zona kanë rënë në nivele tërheqëse për blerësit. Edhe për këtë, kërkesa është gjallëruar, në ndjekje të një përmirësimi të lehtë të ekonomisë.
Por, një rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe aksesi më i lartë në burimet e financimit. Bankat kanë çliruar kreditimin dhe kanë ulur interesat në vlerat minimale historike. Kreditë që fillojnë, në vitet e parë, me interesa nga 2%, kanë shtyrë shumë njerëz që të përfitojnë nga këto kushte dhe të vendosin të blejnë një shtëpi të tyre.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar kreditimi i individëve është rritur në kufijtë e 10%, çka ka mbështetur edhe një kërkesë në rritje për prona.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.