Çmimet e energjisë – ERE miraton tarifat që aplikohen deri në 31 dhjetor 2017

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur çmimet që do të aplikojnë operatorët e tregut të energjisë deri në 31 dhjetor 2017.
Në kushtet kur tregu është ende duke u transformuar si efekt i paketës ligjore që ofron një model të ri, Enti ka gjykuar se tarifat e zbatuara përmbushin kërkesat që kanë operatorët për burime financiare dhe funksionim normal të punës së tyre.
Në dhjetor të vitit të kaluar Enti vendosi që përkohësisht deri në muajin mars 2017 të mos kishte ndryshime të çmimeve të energjisë as për operatorët e mëdhenj dhe as për konsumatorët fundorë.
Ajo që u përcaktua në vendim ishte tarifa që do të aplikohej për shitjen e energjisë për klientët e lidhur në tension 35 dhe 20 kilovolt.
Me vendimin e datës 6 prill ERE ka vendosur që këto ndryshime të mbeten në fuqi deri në fund të vitit. Pra konsumatorët familjarë të paguajnë 9.5 lekë/kwh, OSHEE t’i paguajë OST për çdo kilovat/orë energji të transmetuar 0.65 lekë/kwh kurse KESH do të aplikojnë 1.45 lekë çdo kilovat/orë si çmim prodhimi.
Në të njëjtin vendim numër 190 të lënë në fuqi përcaktohet se për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 Lekë/kWh ndërsa çmimi në pik është 10.93 Lekë/kWh.
Për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20 kV çmimi i shitjes së energjisë është 11 Lekë/kWh ndërsa çmimi në pik është 12.65 Lekë/kWh. Tarifa e aksesit të shpërndarjes për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20kV të jetë 3,9 Lekë/kWh.
Çmimet 31 dhjetor 2017 |
|
Konsumatori familjar | 9.5 lekë/kWh |
KESH tek OSHEE | 1.45 lekë/kWh |
OST tek OSHEE | 0.65 lekë/kWh |
Biznesi |
|
Deri 35 kv | 9.5 lekë/kWh |
Në pik | 10.93 lekë/kWh |
Deri në 20 kv | 11 lekë/kWh |
Në pik | 12.65 lekë kWh |
Tarifa e aksesit | 3.9 lekë/ kWh |
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.