Çmimet e grurit “lehtësohen” pas rritjes – Shqetësimet për shtrëngimin e furnizimeve botërore kufizuan humbjet!
Çmimi i grurit në bursën e Çikagos regjistroi rënie, pasi u rrit me më shumë se 2% në seancën e mëparshme, megjithëse shqetësimet për shtrëngimin e furnizimeve botërore kufizuan humbjet. Një rënie në vlerësimin e të korrave dimërore të SHBA-së dhe vonesat në mbjelljet e pranverës dhanë njëfarë mbështetje për çmimet.
Kontrata më aktive e grurit në Bordin e Tregtisë së Çikagos ra 0,5%, në 10,89 dollarë për shinik dhe misri ra me 0.3%, në 7.99 dollarë për shinik.
Furnizimet globale të prodhimeve kryesore do të mbeten të ulta për të paktën dy vjet, pas mungesës së të korrave në disa vende dhe ndërprerjeve të transportit të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Sipas analistëve, kërkesa mund të tejkalojë ofertën të paktën deri në vitin 2024, duke rezultuar në çmime të larta të kulturave që do të tërheqin rezervat e drithit nga magazinimi dhe do të inkurajojnë fermerët e Amerikës së Jugut të mbjellin më shumë.
Departamenti Amerikan i Bujqësisë vlerësoi 27% të grurit dimëror në gjendje të mirë deri në të shkëlqyer, 3 pikë përqindje më poshtë nga një javë më parë dhe më e ulëta për këtë periudhë të vitit që nga viti 1989. Ndërkohë, mbjellja e misrit ishte 7% e përfunduar, që nga 24 prilli, nën vlerësimin mesatar të analistëve prej 9% dhe mesatares pesëvjeçare prej 15%.
Nga ana tjetër, Indonezia do të ndalojë eksportet e vajit të palmës nga mesnata e 28 prillit, derisa çmimet e vajit të gatimit me shumicë të bien në 0,97 dollarë për litër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.