Çmimet e importit – Frenohet rritja, indeksi arrin në kufirin zero
Kostot e lëndëve të para për industrinë prodhuese në vend po rriten, duke reflektuar konjukturën e tregjeve ndërkombëtare. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i çmimeve të importit iu afrua zeros në tremujorin e fundit të kaluar.
Ndonëse lehtësisht në vlera negative, me -0.1%, ky indeks erdhi në rritje ta vazhdueshme gjatë vitit të kaluar. Çmimet e importit tashmë janë në rritje në segmentin më të rëndësishëm të industrisë, atë përpunuese, që zë mbi 95% të peshës specifike në llogaritjen e indeksit të çmimeve të importit.
Sipas INSTAT, në tremujorin e fundit 2016, indeksi i çmimeve të importit në këtë segment u rrit me 0.2%. Dega me rritjen më të lartë është industria e rafinimit të naftës, ku çmimet janë rritur me 5.2% krahasuar me një vit më parë. Sektorë të tjerë prodhimi ku lëndët e para të importit janë shtrenjtuar janë këpucët, me 3.9%, prodhimi i pijeve me 3.4% dhe prodhimi i veshjeve, me 2.6%. Ndërkohë, çmimet e importit në industrinë nxjerrëse dhe në sektorin energjisë dhe ujit ngelen në vlera negative.
Megjithatë, ecuria e çmimeve të importit tregon qartësisht se kostot e lëndëve të para për biznes kanë një tendencë të qartë drejt rritjes. Kjo nënkupton se presionet për rritje çmimesh nga krahu i ofertës po forcohen, duke kontribuar në rritjen e pritshme të inflacionit gjatë vitit 2017.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.