Çmimet e importit- Indeksi i rikthehet rritjes në tremujorin e parë 2017
Indeksi i çmimeve të importit për industrinë vendase u kthye në rritje vjetore pozitive në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, kostot e lëndëve të para të importit po rriten gradualisht, duke ndjekur konjukturën e tregjeve ndërkombëtare.
Në përmasa më të ulëta, indeksi i çmimeve të importit po ndjek tendencën rritëse të indeksit të çmimeve të prodhimit në vend, që siç raportoi të hënën INSTAT u rrit me 5.1% për tremujorin e parë. Çmimet e importit tashmë janë në rritje në segmentin më të rëndësishëm të industrisë, atë përpunuese, që zë mbi 95% të peshës specifike në llogaritjen e indeksit të çmimeve të importit. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2017, indeksi i çmimeve të importit në këtë segment u rrit me 0.4%.
Dega me rritjen më të lartë është përpunimi i tekstileve, me 6.3%, ndërkohë që edhe në sektorin e përpunimit të naftës indeksi i çmimeve të importit është rritur me 3.8%.
Çmimet e importit në industrinë nxjerrëse dhe në sektorin energjisë dhe ujit ngelen në vlera negative, megjithatë, ecuria e çmimeve të importit tregon qartësisht se kostot e lëndëve të para për bizneset kanë një tendencë të qartë drejt rritjes. Ky është një parakusht për rritjen e presioneve inflacioniste gjatë këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.